LAJME / E Premte 6 Mars 2026, 22:10

Dalin pamjet/ Plasin grushtat pas emisionit “Opinion”, përplasja për tokat në Rrjoll degjeneron në dhunë në Tiranë

Konflikti për pronat në Baks-Rrjoll të Velipojës është zhvendosur në Tiranë, ku një debat i tensionuar në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu ka përfunduar në përplasje fizike mes palëve.

Banorët e zonës dhe përfaqësues të kompanisë Gener 2, që po zhvillon një resort turistik në Rrjoll, ishin të ftuar në studio për të diskutuar për konfliktin e pronave. Debati gjatë transmetimit ka qenë i ashpër, por situata është përshkallëzuar pasi pjesëmarrësit kanë dalë jashtë ambienteve të televizionit.

Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë momentin kur disa persona përplasen fillimisht me debate verbale, të cilat shumë shpejt degjenerojnë në përplasje fizike me grushta.

Pas ndërhyrjes së personave të pranishëm, palët janë ndarë për disa momente, por tensioni ka vijuar. Në pamje shihet se disa persona i afrohen një automjeti dhe godasin xhamin e përparmë me një kon trafiku.

Në atë moment, drejtuesi i mjetit lëviz me shpejtësi përpara dhe godet njërin nga personat që e sulmuan, duke e marrë për disa metra mbi kofanon e makinës dhe duke e hedhur më pas në asfalt.

Si pasojë e përplasjes, disa persona kanë mbetur të lënduar dhe janë dërguar për trajtim në spital.

Pas ngjarjes, palët kanë dhënë versione të ndryshme për atë që ndodhi.

Fatmir Shpellzaj, i cili pretendon se është pronar i tokës në Rrjoll me dokumente dhe vendim gjykate, deklaroi se djali i tij është dhunuar brutalisht nga disa persona pas përfundimit të emisionit.

“Sapo dola nga Spitali i Traumës, ku për orë të tëra qëndrova pranë tim biri, i cili u masakrua nga një tufë njerëzish që në vend të dokumenteve kanë në dorë vetëm dhunën”, u shpreh ai.

Nga ana tjetër, Prek Molla dhe banorët e zonës pretendojnë se janë provokuar nga pala tjetër dhe se konflikti ka nisur pas një përplasjeje verbale jashtë televizionit.

Sipas tyre, djali i Shpellzajt ishte i shoqëruar nga disa persona të tjerë dhe situata u përshkallëzua pas tensioneve mes palëve.

SHIKO VIDEON

Policia ka nisur verifikimet për të identifikuar personat e përfshirë në konflikt dhe për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes, ndërsa konflikti për pronat në Rrjoll vijon prej javësh të mbajë të tensionuar situatën në zonë, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE