LAJME / E Mërkurë 15 Korrik 2026, 17:05

Burri vret gruan me thikë në mes të qytetit

Një grua humbi jetën mbrëmjen e së martës pas një sulmi me thikë në qendër të qytetit Kelkheim, në Gjermani. Sipas raportimeve të mediave gjermabe, i dyshuari është bashkëshorti i viktimës, i cili e sulmoi atë në mes të qytetit, ndërsa kalimtarët ndërhynë menjëherë dhe e mbajtën të neutralizuar deri në mbërritjen e policisë.


Ngjarja ndodhi rreth orës 21:00 të datës 14 korrik në zonën e rrugës Frankfurter Straße, pranë sheshit qendror të Kelkheimit. Për shkak se bëhet fjalë për një zonë me dyqane dhe lokale, në momentin e sulmit në vendngjarje ndodheshin shumë qytetarë, transmeton Klankosova.tv.

Kalimtarët ndërhynë për të ndaluar autorin

Dëshmitarë okularë raportojnë se disa persona reaguan menjëherë sapo panë sulmin, duke e neutralizuar të dyshuarin dhe duke e mbajtur nën kontroll deri në mbërritjen e forcave të policisë.

Policia e arrestoi të dyshuarin në vendngjarje. Ai raportohet se ka pësuar lëndime të lehta gjatë ndërhyrjes së qytetarëve dhe mori ndihmë mjekësore. Ndërkohë, për gruan e sulmuar nuk ishte më e mundur të bëhej asgjë. Ajo ndërroi jetë në vend, si pasojë e plagëve të rënda.

Zonë e bllokuar, hetime intensive

Pas arrestimit, policia rrethoi një perimetër të gjerë rreth vendit të ngjarjes, ndërsa ekspertët kriminalistikë nisën grumbullimin e provave dhe marrjen në pyetje të dëshmitarëve.

Për shkak se shumë persona e panë ngjarjen ose një pjesë të saj, në vendngjarje u angazhuan edhe ekipe të mbështetjes psikologjike dhe këshilltarë shpirtërorë për të ndihmuar dëshmitarët dhe personat e prekur nga trauma.

Autoritetet deklaruan se, pas arrestimit të të dyshuarit, nuk kishte më rrezik për qytetarët, megjithëse zona mbeti e mbyllur për disa orë për shkak të hetimeve.

Shkaqet e sulmit nuk janë bërë ende të ditura. Hetuesit po punojnë për të sqaruar rrethanat e ngjarjes dhe për të verifikuar nëse mes bashkëshortëve kishte pasur konflikte të mëhershme.

Policia kriminale po analizon dëshmitë e mbledhura, provat materiale, si dhe mundësinë e ekzistencës së pamjeve nga kamerat e sigurisë të bizneseve përreth, të cilat mund të ndihmojnë në rindërtimin e ngjarjes.

Policia dhe prokuroria kanë nisur hetimet për vrasje. Autoritetet do të vendosin nëse i dyshuari do të paraqitet para gjykatës me kërkesë për masën e paraburgimit.

Sipas parimit të prezumimit të pafajësisë, deri në një vendim të formës së prerë të gjykatës, personi i arrestuar konsiderohet vetëm i dyshuar për kryerjen e veprës penale.

Ngjarja ka tronditur banorët e Kelkheimit, një qytet me rreth 28 mijë banorë në rajonin Main-Taunus, në veriperëndim të Frankfurtit, pasi krimi ndodhi në një nga zonat më të frekuentuara të qytetit, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE