
Bledi Strakosha ka rrëfyer për herë të parë në “Live From Tirana” përballjen me një problem të rëndë shëndetësor, një aneurizëm cerebrale që i rrezikoi jetën në fund të gushtit.
Gjithçka nisi me një dhimbje koke jashtëzakonisht të fortë, të cilën Strakosha e përshkroi si një dhimbje që nuk e kishte përjetuar më parë.
“Ndjehej si një dhimbje koke shumë e fortë, pra që s’kisha përjetuar ndonjëherë”, rrëfeu ai.
Fillimisht, dhimbja u trajtua si një shqetësim i zakonshëm, por medikamentet nuk dhanë rezultat. Pas kontrolleve në QSUT, mjekët konstatuan se bëhej fjalë për një problem serioz vaskular në tru, një aneurizëm që mund të shkaktonte hemorragji cerebrale.
Pas diagnozës, Strakosha iu nënshtrua një ndërhyrjeje urgjente për të trajtuar problemin.
Gazetari tregoi gjithashtu se kishte disa faktorë që lidhen me historinë e tij shëndetësore, duke përmendur kolesterolin e lartë, të diagnostikuar që në moshën 25-vjeçare, si edhe duhanpirjen. Sipas tij, këta faktorë kanë ndikuar në krijimin e problematikës vaskulare.
Aktualisht, Strakosha vijon trajtimin me medikamente dhe pritet t’i nënshtrohet një rezonance magnetike kontrolli pas një muaji, për të verifikuar ecurinë pas ndërhyrjes.
Në këtë periudhë të vështirë, ai është shprehur mirënjohës ndaj familjes, miqve dhe stafit mjekësor, të cilët e kanë mbështetur dhe ndihmuar gjatë përballjes me këtë problem të rëndë shëndetësor.
