LAJME / E Martë 18 Nëntor 2025, 03:03

Bashkëpronar i një restoranti, ekzekutohet me armë zjarri 44-vjeçari shqiptar në SHBA

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në shtetin e Michiganit, në SHBA, ku një 44-vjeçar shqiptar është qëlluar për vdekje me armë zjarri jashtë restorantit ku punonte. Viktima është identifikuar si Francesk Shkambi, me banim në Howell, i cili ishte menaxher dhe bashkëpronar i restorantit Prime 7 në Commerce Township.

Sipas raportimeve në mediat amerikane, ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:30 me orën lokale, teksa Shkambi u gjet i plagosur rëndë në verandën e lokalit. Ai u transportua në spital, por ndërroi jetë pak më vonë për shkak të plagëve nga arma e zjarrit.

Rreth 20 minuta pas ngjarjes, një 65-vjeçar nga Farmington Hills u dorëzua vetë në polici dhe u vu në pranga pa rezistencë. Hetuesit sekuestruan një pistoletë 9 mm që dyshohet se është arma e krimit; sipas autoriteteve, ajo rezultonte e vjedhur më parë.

Policia bën me dije se viktima dhe autori njiheshin personalisht me njëri-tjetrin dhe se mes tyre kishte një konflikt që ishte përshkallëzuar kohët e fundit. Shkaku i saktë i përplasjes mes tyre nuk është bërë publik ende, ndërsa çështja pritet t’i kalojë prokurorisë për ngritjen e akuzave.

Familjarët dhe stafi i restorantit e kanë përshkruar Shkambin si një njeri të dashur, punëtor dhe të përkushtuar ndaj komunitetit. Restoranti Prime 7 njoftoi se pas ngjarjes do të qëndronte i mbyllur për shkak të ngjarjes së rëndë..joqalbania, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE