
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka folur në lidhje me projektin e Zvërnecit, ku SPAK ka ngrirë transaksionin për blerjen e tokave nga Artur Shehu, prej investitorëve nga Katari, që bashkëpunojnë me Jared Kushner.
Rama u shpreh se akuzat për para kriminale duhet të zbardhen nga drejtësia, dhe qeveria nuk ka për detyrë që të kontrollojë transaksionet. Rama tha se paratë do të qëndrojnë të ngrira, derisa drejtësia të zbardhë përfshirjen apo jo të Artur Shehut. “Emrin e Artur Shehut e kam dërguar siç e kanë dëgjuar të gjithë të tjerët”.
I pyetur drejtëpërdrejtë nga gazetarja Rudina Xhunga, nëse në investimin në Zvërnec janë përfshirë para nga krimi, Rama u shpreh: “Në Zvërnec nuk ka asnjë para kriminale nëse flasim për investitorët, nëse flasim për personin në fjalë apo persona të tjerë, kjo është një punë e drejtësisë dhe nuk është një punë e qeverisë”.
Rama tha se Shehu është nën hetim në lidhje me mënyrën se si ka siguruar pronësinë e tokave në Zvërnec, dhe në rast të vërtetimit se dokumentet janë falsifikuar, atëherë paratë e transakionit për shitjen e këtyre tokave, do ti kalojnë shtetit shqiptar.
“SPAK mua s’më thotë asgjë. SPAK është në punën e vet, qeveria në punën e saj, pronarët në punën e tyre. Proceset gjyqësore që vazhdojnë punën e tyre. SPAK s’e ka vënë në diskutim transaksionin e tërë. SPAK ka bërë diçka tjetër, ka krijuar një konto të ngrirë. Lekët për subjektin e dyshuar nuk i merr subjekti deri kur të zbardhet çështja në gjykatë.
Nuk ka asnjë para kriminale, nëse flasim për investitorë. Nëse flasim për personin në fjalë, apo persona të tjerë kjo është çështje e organeve të drejtësisë, jo e qeverisë. SPAK ka vepruar në mënyrë inteligjente se ka bllokuar transaksionin. Mund ta pengonte. SPAK e ka pranuar transaksionin, personi nuk është i gjykuar si falsifikator. SPAK ka thënë këto para do qëndrojnë këtu, nëse dyshimet tona nuk materializohen, ky i merr. Nëse gjykata e nxjerr falsifikator, këto para i merr shteti”, tha Rama./SHEKULLI
