LAJME / E Hënë 17 Shkurt 2025, 20:08

17-vjetori i Pavarësisë së Kosovës/ Erdogan uron Presidenten Osmani: Mbështetje e palëkundur nga Turqia

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë një mesazh urimi nga Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Në mesazhin e tij, Erdogan shprehu urimet më të përzemërta për Presidenten Osmani dhe popullin e Kosovës, duke theksuar lidhjet historike, njerëzore dhe kulturore mes dy vendeve.

Ai e risolli në vëmendje mbështetjen e fuqishme të Turqisë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, si dhe përpjekjet e vendit për t’u afirmuar në arenën ndërkombëtare. Erdogan përmendi rolin e Turqisë si një nga vendet e para që ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe shprehu vullnetin e përbashkët për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.

“Ai ka nënvizuar mbështetjen e palëkundur të Turqisë për sovranitetin, integritetin territorial dhe përpjekjet e Kosovës për afirmimin e saj në arenën ndërkombëtare, duke rikujtuar rolin e shtetit të tij, si një nga vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidencës në Kosovë.