
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Shkupin, ku një 31-vjeçar është arrestuar nën dyshimin se ka vrarë me thikë babanë e tij pas një konflikti që ndodhi mbrëmjen e së dielës në banesën e familjes.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:30 në një shtëpi familjare në zonën e Bit Pazarit.
Nga të dhënat paraprake të autoriteteve, viktima, një 52-vjeçar me inicialet E.L., dyshohet se ndodhej nën ndikimin e alkoolit kur shpërtheu konflikti brenda familjes.
Sipas policisë, ai fillimisht dyshohet se ushtroi dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij, një gruaje 54-vjeçare, e cila është edhe nëna e të dyshuarit.
Në rrethana që po hetohen, djali i çiftit, 31-vjeçari me inicialet B.Xh., dyshohet se ndërhyri gjatë konfliktit dhe e goditi babanë me thikë.
Si pasojë e plagëve të marra, 52-vjeçari humbi jetën në vendngjarje.
Pas marrjes së njoftimit, forcat policore mbërritën menjëherë në banesë dhe arrestuan të dyshuarin rreth orës 23:00.
Ndërkohë, gruaja e lënduar u transportua në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “Shën Naum i Ohrit”, ku mori trajtim mjekësor për lëndimet e pësuara.
Me urdhër të prokurorit publik, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për autopsi, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe dinamikën e ngjarjes.
Personi i dyshuar prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
