
Ndoc Maçaj, autori që ekzekutoi një natë më parë Piro Prronin ka dhënë dëshminë e tij para grupit hetimor. Maçaj, i cili ashtu sikurse u bë me dije edhe më herët rezulton të jetë kushëriri i 61-vjeçarit, ka deklaruar se e kreu krimin pas një konflikti të vazhdueshëm me Prronin.
Sipas tij, ky i fundit prej një muaji e akuzonte se i kishte vjedhur portofolin, një akt të cilin Maçaj thekson se nuk e ka kryer.
“I bëra be në kishë që nuk e kisha vjedhur unë,” ka deklaruar ai përpara hetuesve. Por, pavarësisht insistimit të tij se nuk e kishte vjedhur portofolin, kushëriri i tij vijonte ta akuzonte.
Mbrëmjen e kaluar, natën kur dhe ndodhi ngjarja, ai ka treguar se 61-vjeçari e kishte akuzuar sërish dhe e kishte fyer dhe për këtë arsye Maçaj nxori armën e zjarrit dhe e qëlloi për vdekje.
Kujtojmë se ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së mërkurës në fshatin Abat të Shalës në Shkodër. Pas vrasjes, Ndoc Maçaj u largua nga vendi i ngjarjes, por arratisja e tij zgjati për vetëm pak orë pasi paraditen e kësaj të enjte ai vendosi që të dorëzohej në Komisariat.
Sakaq theksojmë se fillimisht u tha se kjo ngjarje erdhi si rrjedhojë e konflikteve të dy kushërinjve për pronat. Mirëpo, kjo dëshmi e dhënë së fundmi nga Maçaj ka ngritur një tjetër pistë. Grupi hetimor është duke hetuar të gjitha pistat me qëllim për të zbardhur këtë ngjarje dhe zbulimin e shkakut shtyu Ndoc Maçajn t’i merrte jetën kushëririt të tij, Piro Prronit.
“Shkodër/Vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave dhe shkakut të vrasjes së 61-vjeçarit, mbrëmjen e djeshme, në fshatin Abat.
Dyshohet se vrau me armë zjarri pistoletë, 61-vjeçarin, për motive të dobëta, arrestohet 58-vjeçari, i cili u vetëdorëzua disa orë pas ngjarjes, bashkë me armën e krimit.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit vunë në pranga shtetasin N. M., 58 vjeç, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Ky dyshohet se dje, në fshatin Abat, Shalë, ka vrarë me armë zjarri pistoletë, për motive të dobëta, shtetasin P. P., 61 vjeç, banues në fshatin Abat.
Shërbimet e Policisë kanë gjetur në vendin e ngjarjes dhe kanë sekuestruar dy gëzhoja pistolete dhe 2 mjete prerëse (thikë dhe kmesë). Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, njoftoi Policia më herët, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
