LAJME / E Hënë 13 Prill 2026, 14:02

Vala e mashtrimeve me SMS, BIRN: Njoftimet nga Posta Shqiptare po vendosin qytetarët në kurth

Një valë mesazhesh mashtruese që përdorin emrin e Postës Shqiptare po qarkullon sërish në vend, duke vënë në rrezik të dhënat personale dhe financiare të qytetarëve.

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike pranë Policisë së Shtetit ka kërkuar kujdes nga qytetarët, pasi këto mesazhe dërgohen në formë SMS-je dhe paraqiten si njoftime për pako të padorëzuara.

Në përmbajtje përfshihet zakonisht një link, ku qytetarëve u kërkohet të japin të dhëna personale apo bankare.

Edhe Posta Shqiptare ka reaguar, duke sqaruar se këto mesazhe nuk kanë lidhje me shërbimet e saj dhe se emri i institucionit po përdoret në mënyrë të paligjshme për qëllime mashtrimi.

Bëhet fjalë për një formë mashtrimi të njohur si “smishing”, ku përmes mesazheve të rreme synohet marrja e informacionit të ndjeshëm. Pasi klikohet linku, përdoruesit drejtohen në faqe të rreme ku u kërkohet të plotësojnë të dhënat e kartës apo informacione personale.

Ekspertët e fushës paralajmërojnë se raste të tilla janë në rritje dhe po bëhen gjithnjë e më të sofistikuara. Rreziqet përfshijnë humbje parash, vjedhje identiteti, komprometim të llogarive dhe në disa raste edhe instalim programesh të dëmshme në pajisje.

Sipas tyre, një nga arsyet pse përdoret emri i postës lidhet me faktin që shumica e qytetarëve kanë ose presin dërgesa, çka e bën mesazhin më të besueshëm. Në të njëjtën kohë, mungesa e njohurive digjitale dhe përdorimi i shpejtë i telefonit rrisin mundësinë që qytetarët të bien pre e mashtrimit.

Autoritetet këshillojnë që të mos hapen linke të dyshimta dhe të mos jepen të dhëna personale përmes SMS-ve. Posta Shqiptare bën të ditur se komunikimet zyrtare realizohen vetëm përmes kanaleve të verifikuara dhe jo përmes mesazheve që kërkojnë pagesa apo informacion personal, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE