
Një tragjedi e rëndë është regjistruar në shtetin fqinj, Greqi, ku dy shtetas shqiptarë, nënë e bir, kanë humbur jetën në një aksident të rëndë rrugor.
Sipas asaj që raportojnë mediat greke, ngjarja e rëndë ka ndodhur mëngjesin e së premtes, rreth orës 07:30, në rrugën provinciale Amfipolis-Drama, pranë zonës së Paleokomit, në Bashkinë e Amfipolis, Serres.
Sipas të dhënave paraprake, automjeti me të cilin udhëtonin viktimat është përplasur ballë për ballë me një kamion, në rrethana që mbeten ende të paqarta dhe po hetohen nga autoritetet greke.
Përplasja ka qenë tepër e fuqishme, duke u marrë jetën në vend një gruaje 43-vjeçare dhe djalit të saj 24-vjeçar, të dy me origjinë shqiptare. Mediat greke, duke iu referuar burimeve zyrtare, raportojnë se në timonin e automjetit ndodhej 24-vjeçari, ndërsa nëna e tij udhëtonte në sediljen e pasagjerit.
Drejtuesi i kamionit, 56 vjeç, mbeti i plagosur dhe u transportua me ambulancë në Spitalin e Përgjithshëm të Dramës, ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore.
Menjëherë pas aksidentit, në vendngjarje mbërritën forca të Policisë Greke, ekipe të zjarrfikësve dhe shërbimi i urgjencës EKAB. Shpëtimtarët punuan për nxjerrjen e viktimave nga automjeti i shkatërruar, ndërsa aksidenti shkaktoi edhe bllokim të përkohshëm të qarkullimit në këtë segment rrugor.
Trupat e pajetë të nënës dhe të birit janë transportuar në Spitalin e Përgjithshëm të Serres, ndërsa autoritetet greke kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e plota të kësaj tragjedie që i mori jetën dy shqiptarëve, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
