
Trupi i Luigi Cavallarit, bashkëshortit të ministres italiane Eugenia Roccella, është gjetur mëngjesin e 4 gushtit në ujërat e liqenit Vico, në provincën e Viterbos, pasi ishte shpallur i zhdukur që prej 27 qershorit.
Cavallari humbi jetën gjatë një tragjedie teksa lundronte me varkë në liqen së bashku me bashkëshorten e tij. Ai u hodh në ujë, por nuk doli më në sipërfaqe. Sipas dyshimeve paraprake, shkaku më i mundshëm i vdekjes është një sëmundje e shkaktuar nga shoku termik. Alarmin për zhdukjen e tij e dha vetë ministrja.
Pas gjetjes së trupit, Roccella tha se “mori fund një periudhë pritjeje e mundimshme”, ndërsa falënderoi të gjitha strukturat që morën pjesë në operacionin e kërkimit, përfshirë Prefekturën e Viterbos, zjarrfikësit, policinë, karabinierët, Guardia di Finanza, si edhe institucionet dhe banorët e Ronciglione për mbështetjen e treguar.
Ajo u shpreh se, megjithëse gjetja e trupit nuk e lehtëson dhimbjen e humbjes, i jep familjes mundësinë për t’i dhënë lamtumirën e fundit njeriut të tyre të dashur.
Operacionet e kërkimit zgjatën më shumë se një muaj dhe u vështirësuan nga kushtet e liqenit Vico. Dukshmëria e kufizuar nën ujë, si dhe prania e baltës, llumit dhe algave në fundin e liqenit, e bënë të vështirë lokalizimin e trupit. Për këtë arsye, ekipet e shpëtimit përdorën sonarë dhe robotë nënujorë për të kontrolluar çdo sinjal të evidentuar nga pajisjet./Top Channel, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
