
Një debat i ashpër ka shpërthyer në rrjetet sociale mes kardiokirurgut Edvin Prifti dhe mjekut Erion Dasho, pas rikthimit të diskutimeve ndërkombëtare mbi menaxhimin e pandemisë së Covid-19 dhe rolit të Anthony Fauci.
Shkëndija e përplasjes ishte një status i Erion Dashos, i cili kritikoi ashpër mjekët që gjatë pandemisë kundërshtuan politikat zyrtare dhe promovuan teori që, sipas tij, nuk mbështeteshin nga provat shkencore. Dasho argumentoi se nuk kishte pasur “mjekë martirë”, por profesionistë që përhapën pretendime të rrezikshme për shëndetin publik.
“Mjekët konspiracionistë përhapën ide që cenuan sigurinë e pacientëve dhe vendosën në rrezik jetën e miliona qytetarëve”, shkroi ai, duke shtuar se kufizimi i këtyre mesazheve nuk ishte censurë, por detyrim për mbrojtjen e shëndetit publik.
Deklaratat e Dashos sollën reagimin e menjëhershëm të Edvin Priftit, i cili iu përgjigj me një status të gjatë dhe me akuza të drejtpërdrejta.
“Rezulton që tashmë je një nga zëdhënësit e konspiracionit më të madh botëror”, i shkruan Prifti, duke e akuzuar kolegun se është rreshtuar në krah të Anthony Fauci dhe institucioneve që, sipas tij, mbuluan të vërtetën mbi pandeminë.
Prifti kundërshton etiketimin e mjekëve kritikë si “konspiracionistë”, duke pretenduar se ata ngritën pikëpyetje të bazuara në argumente shkencore dhe se u sulmuan pikërisht sepse sfiduan narrativën zyrtare. Ai shprehet se mijëra mjekë në mbarë botën kanë denoncuar mënyrën se si u menaxhua pandemia dhe akuzon Dashon se po përpiqet të denigrojë ata që mbrojtën qëndrime të ndryshme.
Dasho iu përgjigj duke sqaruar se statusi i tij nuk kishte si objekt personal Edvin Priftin, por fenomenin e përhapjes së teorive që ai i konsideron të pabazuara, si pretendimet se mjekë janë eliminuar ose vrarë për shkak të qëndrimeve të tyre ndaj Covid-19.
Në replikën e tij, Dasho tha se vazhdon ta vlerësojë Priftin si kardiokirurg, por nuk ndan të njëjtat bindje për teoritë që ai promovon. Ai shtoi se qytetarët kanë të drejtë të dëgjojnë edhe qëndrimin që mbështetet nga shumica e komunitetit shkencor dhe e ftoi kolegun në një debat publik mbi këto çështje.
Edvin Prifti reagoi sërish, duke e cilësuar përgjigjen e Dashos një përpjekje për të justifikuar statusin e tij. Ai deklaroi se nuk do të lejojë, sipas fjalëve të tij, “të shkelet mbi të vërtetat” që mbron dhe këmbënguli se nuk do të tërhiqet nga bindjet e tij, pavarësisht pasojave.
Përplasja mes dy mjekëve vjen në një kohë kur debati mbi Covid-19 dhe përgjegjësitë për menaxhimin e pandemisë është rihapur në SHBA pas zhvillimeve të fundit që lidhen me Anthony Fauci, duke rikthyer në qendër të vëmendjes edhe ndarjet e forta që pandemia krijoi brenda komunitetit mjekësor, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
