
Rekomandon disa vende përmes të cilave mund të njihet historia e qytetit
Prestigjozja britanike “The Times”, i ka kushtuar një artikull Tiranës ku nënvizon se kryeqyteti është tani një nga destinacionet më të vizituara të Ballkanit. Kryeqyteti shqiptar ishte krejtësisht i shkëputur nga bota e jashtme, i sunduar nga diktatori komunist Enver Hoxha, por që nga vitet 1990 Tirana është hapur për vizitorët.
Qyteti kaloi dekada pa vizitorë, por tani e ka kompensuar kohën e humbur pasi zonat dikur të harruara janë shndërruar në qendra të rëndësishme tregtare dhe kulturore. Megjithatë historia e qytetit është ende e prekshme përmes muzeve të ndryshme që e bëjnë Tiranën një destinacion që ia vlen të vizitohet.
Vizita për në qytet mund të niset nga Piramida e Tiranës e cila konsiderohet ndalesa perfekte.
Për shumë dekada Piramida qëndroi e braktisur dhe më pas u shndërrua në muze. Por sot, kjo ndërtesë është shndërruar në një qendër teknologjie për të rinjtë.
Nga Piramida vizitorët mund t’i drejtohen Sheshit Skënderbej ku gjendet statuaja e heroit kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbej dhe disa nga ndërtesat më të rëndësishme të Tiranës.
Udhëtarët rekomandohen të vizitojnë xhaminë e Et’hem Beut, Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit dhe muzeun e BunkArt, një mega bunker në buzë të qytetit, u krijua fillimisht për të strehuar Hoxhën në rast të një sulmi.
Jo vetëm historia, por edhe bukuritë natyrore të kryeqytetit janë në fokus të prestigjozes britanike.
Liqeni i Tiranës, por edhe mali i Dajtit janë ndër vendet e tjera që rekomandohen. Pamjet spektakolare të qytetit për gazetën britanike ia vlen të eksplorohen përmes ecjeve me biçikletë.
