
Si humbi jetën vajza 14-vjeçare në Gostivar? U deklarua Komuna – jozyrtarisht thuhet se bëhet fjalë për një aksident tragjik
Autopsia, si dhe disa masa të tjera që do të ndërmarrin policia dhe Prokuroria, pritet të japin përgjigje se si përfundoi jeta e një vajze 14-vjeçare në parkun e qytetit të Gostivarit, mbrëmë pas orës 20:00.
Nga Qendra Mjekësore e Gostivarit e njoftuan policinë se ishte sjellë një fëmijë pa shenja jete, pas së cilës filluan hetimet.
Sipas zëdhënësit të SPB Tetovë, Fatmir Rexhepi:
“Mbrëmë, në orën 20:20, Qendra Emergjente e Gostivarit njoftoi se ishte pranuar një vajzë 14-vjeçare pa shenja jete. Menjëherë policia veproi dhe konstatoi se bëhej fjalë për një vajzë nga Kavadari, e cila përkohësisht qëndronte në Gostivar. Sipas personave që e sollën në Qendrën Emergjente, ajo kishte rënë ndërsa po luhatej në një luhatëse dhe u kishte nënshtruar plagëve.”
Policia e njoftoi menjëherë Prokurorinë, ndërsa prokurori kujdestar doli në vendin e ngjarjes për të kryer këqyrjen. Ai urdhëroi ndërmarrjen e disa veprimeve hetimore për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.
Është urdhëruar autopsi, si dhe marrja në pyetje e dëshmitarëve të mundshëm dhe kontrolli i statusit, sigurisë dhe mirëmbajtjes së pajisjeve të vendosura në këndin e lojërave.
Derisa të përfundojnë autopsia dhe veprimet e tjera hetimore, institucionet theksojnë se është ende herët për të nxjerrë përfundime mbi shkakun e vdekjes së vajzës.
Komuna e Gostivarit: Shprehim keqardhje të thellë, jozyrtarisht bëhet fjalë për një aksident
“Komuna e Gostivarit shpreh keqardhje të thellë dhe ngushëllimet më të sinqerta për tragjedinë e rëndë që ndodhi mbrëmë në Parkun e Qytetit, ku një vajzë 14-vjeçare nga Kavadari humbi jetën si pasojë e një aksidenti në këndin e lojërave për fëmijë.
Në këto momente të vështira, u shprehim ngushëllimet tona familjes, të afërmve dhe të gjithë atyre që janë prekur nga kjo humbje e madhe.
Sipas informacioneve jozyrtare, bëhet fjalë për një rast aksidental. Megjithatë, presim që organet kompetente ta përfundojnë hetimin dhe të dalin me përfundime zyrtare mbi rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike.
Komuna e Gostivarit u bën thirrje prindërve, kujdestarëve, shërbimeve sociale dhe institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e fëmijëve që të shtojnë kujdesin dhe mbikëqyrjen, veçanërisht kur të miturit qëndrojnë ose lëvizin pa shoqërim nëpër qytet dhe hapësira publike.
Njëkohësisht, informojmë opinionin se këndet e lojërave për fëmijë në territorin e Komunës së Gostivarit janë ndërtuar në përputhje me standardet e parapara të sigurisë.”
Sipas informacioneve zyrtare deri tani, shkaku i saktë i vdekjes ende nuk është konfirmuar dhe priten rezultatet e autopsisë dhe hetimit, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
