LAJME / E Enjte 21 Maj 2026, 10:10

Rregulla të reja për peshkimin, synohet rritja e gjurmueshmërisë dhe e cilësisë

Këshilli i Ministrave miratoi dje një vendim të ri që përcakton mënyrën e organizimit dhe funksionimit të tregut të produkteve të peshkimit dhe akuakulturës, si dhe formën dhe përmbajtjen e planeve të prodhimit dhe marketingut për këtë sektor.

Vendimi, i propozuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, synon forcimin e menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve detare, rritjen e transparencës në treg dhe përmirësimin e konkurrueshmërisë së prodhuesve vendas në zinxhirin e furnizimit.

Sipas relacionit që shoqëron këtë dokumentit, organizatat e prodhuesve të peshkimit dhe akuakulturës do të kenë një rol qendror në planifikimin e prodhimit, marketingun dhe koordinimin e tregut, përmes planeve të detyrueshme të prodhimit dhe tregtimit që do të miratohen nga ministria përkatëse.

Vendimi parashikon gjithashtu krijimin dhe fuqizimin e organizatave ndërsektoriale, të cilat do të synojnë përmirësimin e koordinimit mes prodhuesve, përpunuesve dhe tregtarëve, si dhe rritjen e cilësisë dhe gjurmueshmërisë së produkteve në treg.

Një tjetër risi e rëndësishme është vendosja e standardeve të reja të marketingut dhe etiketimit të produkteve të peshkimit, duke përfshirë informacion të detyrueshëm për origjinën, metodën e prodhimit, zonën e zënies dhe karakteristikat e produktit, me qëllim informimin më të mirë të konsumatorëve.

Po ashtu, vendimi parashikon mekanizma për stabilizimin e tregut, përfshirë mbështetje financiare për ruajtjen e përkohshme të produkteve kur nuk arrihet çmimi kufi i shitjes, si dhe masa për menaxhimin e ofertës në treg.Zbatimi i këtij vendimi do të mbikëqyret nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, institucionet e shërbimeve të peshkimit dhe strukturat e inspektimit, të cilat do të garantojnë përputhshmërinë me rregullat e reja dhe objektivat e qëndrueshmërisë në sektor. Vendimi hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE