LAJME / E Enjte 18 Korrik 2024, 22:10

Rizgjedhja e Ursula von der Leyen Presidente e KE/ Rama: Mezi pres të vazhdojmë punën për ta futur Shqipërinë në BE

Parlamenti Evropian zgjodhi Ursula von der Leyen për pesë vjet të tjera si presidente të Komisionit Evropian, duke zgjedhur kështu stabilitetin dhe vazhdimësinë për institucionin më të fuqishëm të BE-së.

Von der Leyen, e cila vjen nga Partia Popullore Evropiane e qendrës së djathtë, mori 401 vota në një votim të fshehtë, shumë më tepër se 361 vota që i nevojiteshin për t’u zgjedhur. Kundër ishin 284 vota, 15 abstenime dhe 7 vota të shpallura të pavlefshme.

"Vota e Parlamentit Evropian për rizgjedhjen e Ursula Von Der Leyen është një deklaratë e fuqishme që shënon fillimin e një kapitulli të ri në qeverisjen e Bashkimit me një hyrje rigjallëruese. Shqipëria e mirëpret këtë deklaratë me shpresë dhe besim të plotë te lidershipi i Ursulës. Ne përgëzojmë qëndrimin e saj të qartë për Ballkanin Perëndimor në fjalimin e saj sot në Parlamentin Evropian. Mezi pres të vazhdoj punën me Presidentin e Komisionit për ta futur Shqipërinë në BE dhe për të integruar më tej BE-në me Ballkanin Perëndimor." tha Rama.