
Pas vendimit të Ministrisë së Infrastrukturës për të nisur procedurat për ndërprerjen e kontratës së koncesionit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës pas skadimit të afateve për përfundimin e punimeve, kompania MABCO e biznesmenit Behgjet Pacolli paralajmëron se do ta çojë çështjen në arbitrazh ndërkombëtar.
Në një reagim në Facebook, Pacolli shkruan se deri më tani nuk ka marrë asnjë njoftim zyrtar nga Ministri për fillimin e procedurës për ndërprerjen e kontratës, duke akuzuar shtetin shqiptar se ka zgjedhur vetë rrugën e arbitrazhit.
“Për një investim strategjik me rëndësi kombëtare, është e papranueshme që investitori të informohet nga media dhe jo nga institucionet shtetërore. Nëse ky lajm rezulton i vërtetë, atëherë shteti shqiptar po zgjedh me vetëdije rrugën e arbitrazhit ndërkombëtar. MABCO ka bërë çdo përpjekje për të shmangur këtë skenar dhe për të gjetur një zgjidhje institucionale”, thuhet në deklaratë.
Pacolli thotë se kompania ka bërë përpjekje për një zgjidhje institucionale, por flet për një paradoks, duke akuzuar institucionet se fillimisht kanë penguar përfundimin e projektit dhe tani po përdorin pikërisht këto vonesa si argument për ndërprerjen e kontratës.
Reagimi i plotë i Behgjet Pacollit
Sot, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nisur procedurën për ndërprerjen e Kontratës së Koncesionit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës. Deri në këtë pikë, MABCO Constructions SA nuk ka marrë asnjë njoftim zyrtar nga Autoriteti Kontraktor. Për një investim strategjik me rëndësi kombëtare, është e papranueshme që investitori të informohet nga media dhe jo nga institucionet shtetërore.
Nëse ky lajm rezulton i vërtetë, atëherë shteti shqiptar po zgjedh me vetëdije rrugën e arbitrazhit ndërkombëtar. MABCO ka bërë çdo përpjekje për të shmangur këtë skenar dhe për të gjetur një zgjidhje institucionale. Fatkeqësisht, përballë papërgjegjshmërisë, heshtjes dhe veprimeve të paligjshme të disa përfaqësuesve të shtetit, çdo mundësi për një zgjidhje është mbyllur.
Ky arbitrazh do të jetë pasojë e drejtpërdrejtë e neglizhencës, veprimeve të paligjshme dhe papërgjegjshmërisë së disa përfaqësuesve të institucioneve shtetërore, e veprimeve të elementëve që, nën mbulesën e institucioneve, kanë vepruar jashtë ligjit, si dhe e dështimit të një sistemi drejtësie të prekur për të garantuar zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të investitorëve.
Nuk kam dashur kurrë që taksapaguesit shqiptarë të paguajnë faturën për neglizhencën, papërgjegjësinë dhe vendimet e paligjshme të zyrtarëve që sot vazhdojnë të sillen me indiferencë, sepse nuk mbajnë asnjë përgjegjësi personale. Dëmin nuk e paguajnë ata, por qytetarët dhe bizneset shqiptare.
MABCO ishte e ekspozuar financiarisht ndaj mbi 320 milionë eurove, pa përfshirë humbjen e fitimit dhe kostot ligjore. Kompania kishte përfunduar pothuajse të gjitha detyrimet kontraktuale dhe ishte vetëm pak para fazës së certifikimit të aeroportit.
Megjithatë, pas vendimit të Gjykatës së Lartë, grupe që vepronin në mënyrë arbitrare dhe jashtë ligjit, me mbështetje ose tolerancë institucionale, e penguan MABCO-n të hynte në vend dhe të përfundonte projektin. Për muaj të tërë, në prani të Policisë së Shtetit, investitori u mbajt larg pronës së tij, ndërsa pajisje të vlefshme u dëmtuan, u shkatërruan dhe disa madje u vodhën.
Paradoksi është i qartë: nga njëra anë, institucionet penguan përfundimin e projektit, ndërsa nga ana tjetër, ato kërkojnë ta përdorin këtë pengesë si arsye për të ndërprerë kontratën.
Kjo bie ndesh me vendimin e Gjykatës së Lartë, Kontratën e Koncesionit, Marrëveshjen Dypalëshe për Mbrojtjen e Investimeve midis Zvicrës dhe Shqipërisë dhe parimin universal të ligjit se askush nuk mund të përfitojë nga sjellja e vet e paligjshme.
Nëse procedura konfirmohet, MABCO do të mbrojë të drejtat e saj me të gjitha mjetet ligjore, përfshirë provat dhe faktet që zotëron kundër kujtdo që ka shkaktuar këtë skandal të turpshëm, deri në ARBITRAZH tregtar ndërkombëtar kundër Republikës së Shqipërisë.
Ky nuk është kërcënim. Është pasojë ligjore e veprimeve të paligjshme dhe mosveprimeve të papërgjegjshme të përfaqësuesve të institucioneve shtetërore, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
