LAJME / E Diel 5 Janar 2025, 20:08

Probleme nga dëbora në juglindje, bllokohen fshatrat e thellë malorë në Korçë

Kjo fundjavë ka sjellë probleme në qarkullimin e mjeteve si pasojë e reshjeve të dëborës.

Në zonat malore të juglindjes bora ka arritur trashësinë 1.5 metër. Konkretisht në aksin Shtyllë-Panarit reshjet kanë izoluar banorët e fshatit.

Në zonën e njohur si Mashkullorë trashësia e borës ka bllokuar për disa ditë rrugën dhe komunikimin e banorëve të Panaritit  me qendrën e njësisë administrative.

Këtë të dielë, Bashkia  Korçë nisi punën për hapjen e rrugës dhe largimin e dëborës. Ndërkohë juglindja e vendit është mbuluar nga mjegulla e dendur

Që në orët e pra të mëngjesit janë krijuar vështirësi të shumta në qarkullimin e mjeteve. Të gjitha akset nacionale dhe rurale të zonës janë përfshirë nga mjegulla, çka ka kufizuar fushëpamjen për shoferët.

Policia Rrugore ka apeluar për kujdes të shtuar, duke kërkuar nga drejtuesit e mjeteve që të ulin shpejtësinë në mënyrë që të shmangen aksidentet.

Situata bëhet edhe më e ndërlikuar për shkak të fluksit të lartë të automjeteve që lëvizin në juglindje gjatë fundjavës.