LAJME / E Premte 10 Korrik 2026, 14:02

Përgjaket Ferizaj, një person sulmon me thikë qytetarët

Një ngjarje e rëndë ka tronditur mëngjesin e së enjtes qytetin e Ferizajt, ku një person dyshohet se ka sulmuar me thikë dy qytetarë në një nga zonat më të frekuentuara të qytetit.

Sipas informacioneve të para, incidenti ka ndodhur rreth orës 07:50 në rrugën “Dëshmorët e Kombit”, në afërsi të Postës Qendrore. Si pasojë e sulmit, dy persona kanë mbetur të plagosur dhe kanë pasur nevojë për ndihmë urgjente mjekësore.

Në vendin e ngjarjes kanë ndërhyrë menjëherë ekipet e Emergjencës, të cilat u kanë dhënë ndihmën e parë të lënduarve, përpara se t’i transportonin në Emergjencën e Ferizajt për trajtim të mëtejshëm.

Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, bëri të ditur se i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes menjëherë pas sulmit, ndërsa policia ka nisur një aksion për lokalizimin dhe arrestimin e tij.

“Sot, rreth orës 07:50, kemi pranuar informatën se në rrugën ‘Dëshmorët e Kombit’, në afërsi të Postës Qendrore në Ferizaj, ka ndodhur një incident, ku një person dyshohet se ka sulmuar dy persona me mjet të mprehtë (thikë). Të lënduarit janë transportuar për trajtim mjekësor në Emergjencën e Ferizajt, pasi kanë marrë ndihmën e parë në vendin e ngjarjes nga ekipet mjekësore. I dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur. Njësitë policore janë duke ndërmarrë veprime intensive hetimore për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit”, deklaroi Veseli.

Sipas disa burimeve mediatike, ekzistojnë pretendime se personi i dyshuar mund të ketë probleme të shëndetit mendor. Megjithatë, ky informacion nuk është konfirmuar zyrtarisht nga Policia e Kosovës, e cila po vazhdon hetimet.

Zona ku ndodhi sulmi është këqyrur nga njësitë hetimore, ndërsa policia po mbledh prova dhe po interviston dëshmitarë për të dokumentuar plotësisht rastin.

Deri më tani nuk janë bërë të ditura identitetet e personave të lënduar, ndërsa gjendja e tyre shëndetësore nuk është raportuar nga autoritetet.

Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që, nëse kanë informacione që mund të ndihmojnë në identifikimin ose kapjen e të dyshuarit, t’i raportojnë ato tek organet kompetente.

Personi i dyshuar prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE