LAJME / E Shtunë 1 Gusht 2026, 14:02

Paralajmërimi i meteorologut: Temperaturat pritet të arrijnë deri në

Shqipëria do të vijojë të jetë nën ndikimin e një vale të fortë të të nxehtit edhe gjatë ditëve në vijim. Sipas meteorologut të MeteoAlb, Hakil Osmani, temperaturat do të mbeten shumë mbi mesataren sezonale, duke arritur deri në 41 gradë Celsius në disa qarqe të vendit.

Në një lidhje për “Euronews Albania”, Osmani tha se fundjava do të karakterizohet nga mot i kthjellët dhe temperatura shumë të larta, ndërsa vlerat maksimale do të regjistrohen në Elbasan, Berat, Tiranë, Gjirokastër dhe Shkodër.

“Presim që maksimumet të jenë rreth 10 gradë mbi vlerat normale, duke bërë që temperaturat të afrohen shumë pranë 41°C. Elbasani dhe Berati do të jenë qarqet më të nxehta, ndërsa edhe Tirana, Gjirokastra dhe Shkodra do t’i afrohen 40 gradëve”, u shpreh Osmani.

Edhe zonat bregdetare nuk do t’i shpëtojnë vapës. Sipas meteorologut, temperaturat përgjatë vijës bregdetare do të luhaten nga 36 deri në 39°C, ndërsa zonat më të freskëta do të mbeten ato juglindore, ku maksimumet pritet të variojnë nga 30 në 33°C.

Sa i përket motit, fundjava pritet të dominohet nga kthjellimet në pjesën më të madhe të territorit. Vetëm në zonat malore verilindore mund të ketë kalime të përkohshme vranësirash dhe rrebeshe të izoluara gjatë orëve të pasdites.

Meteorologu bëri me dije se në fillim të javës së ardhshme temperaturat do të pësojnë një rënie të lehtë, duke zbritur rreth 38°C, por kjo situatë nuk do të zgjasë.

“Nga fundi i javës valët e të nxehtit do të riaktivizohen dhe maksimumet do të ngjiten sërish pranë 40-41°C”, tha ai.

Osmani paralajmëroi se 15 ditët e para të gushtit do të jenë periudha më e nxehtë e muajit, me mungesë të theksuar reshjesh në pjesën më të madhe të vendit. Vetëm në gjysmën e dytë të muajit pritet një ulje graduale e temperaturave, me maksimumet që do të zbresin në 36-37°C, si dhe shtim i mundësive për rrebeshe lokale shiu.

“Pjesa e parë e gushtit do të dominohet nga moti i qëndrueshëm dhe temperaturat shumë të larta. Në 15-ditëshin e dytë ka sinjale për një rënie të lehtë të temperaturave dhe për reshje më të shpeshta”, përfundoi Osmani, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE