
Prindërit dhe kujdestarët e nxënësve në Kosovë kanë kohë vetëm edhe pak ditë për të aplikuar për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore për vitin e ri mësimor 2026/2027.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka rikujtuar se 9 gushti 2026 është afati i fundit për dorëzimin e aplikimeve për nxënësit e arsimit fillor dhe të mesëm të ulët, përkatësisht për klasat 1 deri në 9.
Aplikimi realizohet ekskluzivisht përmes platformës eKosova, ndërsa subvencionimi mbulon blerjen e teksteve dhe materialeve shkollore për të gjithë nxënësit që plotësojnë kriteret.
Sipas ministrisë, mjetet financiare do të transferohen drejtpërdrejt në xhirollogarinë bankare të prindit ose kujdestarit që aplikon.
Para aplikimit, qytetarët duhet të sigurohen se:
xhirollogaria bankare është aktive dhe e saktë;
të dhënat personale në platformën eKosova janë të përditësuara.
E drejta për të aplikuar u është mundësuar edhe shtetasve të huaj me leje qëndrimi të përkohshme ose të përhershme në Republikën e Kosovës, nëse fëmijët e tyre ndjekin mësimin në institucionet arsimore të vendit.
Ndërkohë, për shtetasit e huaj që ende nuk posedojnë leje qëndrimi, por kanë fëmijë të regjistruar në shkollat e Kosovës, Ministria ka bërë të ditur se do t’ia dorëzojë Agjencisë për Shoqërinë e Informacionit listën e këtyre rasteve, në mënyrë që edhe ata të kenë qasje në platformën eKosova për aplikim.
Ministria u bën thirrje të gjithë prindërve që nuk kanë aplikuar ende, ta bëjnë këtë para përfundimit të afatit, në mënyrë që të përfitojnë subvencionimin për tekstet dhe materialet shkollore.
Pas datës 9 gusht, aplikimet nuk do të pranohen, ndërsa të gjitha kërkesat do të verifikohen nga shkollat përkatëse përpara transferimit të mjeteve financiare në llogaritë e aplikuesve.
1. https://rks-gov.net/469 – APLIKIM – (Klasat 1 deri 5)
2. https://rks-gov.net/471 – APLIKIM – (Klasat 6 deri 9) do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
