
Qytetarët e Kosovës do të përballen me një kosto shtesë duke filluar nga 1 shtatori 2026, pasi do të nisë zbatimi i një tarife të re që lidhet me furnizimin me energji elektrike.
KESCO ka njoftuar se, përveç tarifës ekzistuese të shkyçjes, konsumatorët do të duhet të paguajnë edhe tarifën e rikyçjes, sa herë që furnizimi me energji elektrike rikthehet pas një shkyçjeje.
Sipas kompanisë, vendimi vjen pas një njoftimi zyrtar të pranuar nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), në përputhje me Rregullën për Shkyçje dhe Rikyçje, e cila është miratuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).
“KESCO, në cilësinë e Furnizuesit të Shërbimit Universal, informon konsumatorët se ka pranuar njoftim zyrtar nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) lidhur me fillimin e zbatimit të tarifës së rikyçjes, e cila do të hyjë në fuqi më 1 shtator 2026”, thuhet në njoftimin e kompanisë.
Për të informuar konsumatorët me kohë, KESCO ka bërë të ditur se njoftimi për tarifën e re do të publikohet në të gjitha kanalet zyrtare të komunikimit dhe do të përfshihet edhe në faturat mujore të energjisë elektrike që do të shpërndahen gjatë muajit gusht.
Kompania u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i kryejnë pagesat e faturave të energjisë brenda afateve të përcaktuara, në mënyrë që të shmangin shkyçjen nga rrjeti dhe kostot shtesë që do të lidhen tashmë jo vetëm me shkyçjen, por edhe me rikyçjen e energjisë elektrike.
Aktualisht, tarifa për shkyçjen e konsumatorëve është 17.07 euro, ndërsa nga 1 shtatori kësaj procedure do t’i shtohet edhe tarifa e rikyçjes, duke rritur barrën financiare për konsumatorët që nuk i paguajnë faturat me kohë.
Vendimi pritet të prekë të gjithë konsumatorët që përballen me ndërprerje të furnizimit për shkak të mospagesës së energjisë elektrike, ndërsa detajet për shumën e tarifës së rikyçjes pritet të bëhen publike në njoftimet zyrtare të OSSH-së dhe KESCO-s, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
