
Peceta ikonë, në të cilën u nënshkrua kontrata e parë e Leo Messit me Barcelonën, doli në ankand këtë të mërkurë në Londër me një çmim fillestar prej 300.000 paund (348.000 euro).
Peceta, e cila daton në dhjetor të vitit 2000, kur Messi ishte vetëm 13 vjeç, përfaqëson angazhimin e argjentinasit me Barçën dhe u nënshkrua me stilolaps blu nga Carles Rexach, në atë kohë drejtor sportiv i klubit katalanas.
Kjo pecetë, në posedim të agjentit argjentinas Horacio Gaggioli, do të ofrohet në një ankand online nga shtëpia “Bonhams”, e cila e ka ekspozuar muajt e fundit në Paris, Nju Jork dhe Londër. Mësohet se ankandi do të zgjasë nga data 8 maj deri më 17 maj.
“Në Barcelonë, më 14 dhjetor 2000, në prani të zotërinjve Minguella dhe Horacio, Carles Rexach, sekretar teknik i Barcelonës, ??mori përsipër nën përgjegjësinë e tij, pavarësisht disa mendimeve të kundërta, të nënshkruajë me lojtarin Lionel Messi për aq kohë sa qëndrohet brenda shumave të dakorduara”, – shkruhet në pecetë, në të cilën ndodhet kontrata e parë e Messit si lojtar i Barçës.
Ajo pecetë e nënshkruar në vitin 2000 ndryshoi fatin e Barcelonës, gjithashtu të vetë Leo Messit, i cili është bërë tashmë një nga lojtarët më të mirë të të gjitha kohërave.
Ankandi i kësaj relikeje historike shkaktoi polemika dhe Junior Minguella, djali i Josep Maria Minguella, përfaqësuesi i cili ishte i pranishëm në nënshkrimin e saj, refuzoi të pranonte që kjo mund të ndodhte. Megjithatë, më në fund do të ketë një ankand të pecetës.
