
Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë caktuar datat për deklaratat përmbyllëse në çështjen gjyqësore “Prokurorja e Specializuar kundër Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit”, duke shënuar hyrjen e procesit në fazën e tij përfundimtare.
Sipas njoftimit zyrtar të Dhomave të Specializuara, deklaratat përmbyllëse do të mbahen më 10, 11 dhe 14 shtator 2026, duke filluar çdo ditë nga ora 09:30.
Seancat do të jenë publike dhe do të transmetohen drejtpërdrejt përmes faqes zyrtare të Dhomave të Specializuara në gjuhën shqipe, serbe dhe angleze, duke u mundësuar qytetarëve dhe mediave ta ndjekin nga afër zhvillimin e këtij procesi gjyqësor.
Në njoftim bëhet e ditur se gazetarët, përfaqësuesit e mediave dhe qytetarët që dëshirojnë të jenë të pranishëm në sallën e gjyqit duhet të regjistrohen paraprakisht. Afati i fundit për paraqitjen e kërkesave për pjesëmarrje është 14 gushti 2026, në orën 18:00.
Caktimi i datave për deklaratat përmbyllëse vjen pasi më 5 gusht 2026, gjykatësi i vetëm në këtë rast shpalli të mbyllur procedurën e paraqitjes së provave, duke konstatuar se procesi ka hyrë në fazën përfundimtare para marrjes së vendimit.
Në këtë çështje, ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, së bashku me Bashkim Smakajn, Isni Kilajn, Fadil Fazliun dhe Hajredin Kuçin, përballen me akuza që lidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë dhe mosbindjen ndaj gjykatës.
Të pesë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës, ndërsa mbrojtja dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar pritet të paraqesin argumentet e tyre përfundimtare gjatë seancave të shtatorit.
Pas përfundimit të deklaratave përmbyllëse, trupi gjykues do të tërhiqet për shqyrtim, ndërsa vendimi do të shpallet në një datë që do të caktohet më vonë nga Dhomat e Specializuara, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
