LAJME / E Enjte 30 Prill 2026, 00:12

“Janë vrasës me pagesë!”/ Ish-agjenti i CIA-s për MEK: Paguhen nga Izraeli për atentate!

Një deklaratë e fortë nga ish-agjenti i CIA, John Kiriakou, ka rikthyer në vëmendje aktivitetin e organizatës MEK (Muxhahedinët e Popullit të Iranit), një pjesë e së cilës është e strehuar prej vitesh në Shqipëri.

Në një intervistë me gazetarin Tucker Carlson, Kiriakou ka bërë akuza të rënda ndaj MEK, duke pretenduar se brenda qarqeve të inteligjencës kjo organizatë konsiderohet si e përfshirë në operacione të dhunshme dhe se, sipas tij, mund të financohet nga aktorë të huaj (Izraeli) për veprime të targetuara në Iran.

Këto janë deklarata personale të ish-zyrtarit amerikan dhe nuk përfaqësojnë qëndrim zyrtar të institucioneve amerikane, ndërsa vetë organizata MEK i ka mohuar vazhdimisht akuza të tilla.

Çështja merr një dimension tjetër për shkak se Shqipëria strehon prej vitesh një kamp të MEK në zonën e Manzës, në Durrës. Prania e tyre ka qenë shpesh objekt debatesh dhe diskutimesh në opinionin publik.

Së fundmi, në redaksinë e JOQ Albania kanë mbërritur disa raportime nga qytetarë, të cilët pretendojnë se gra të panjohura, të dyshuara si muxhahedine, u janë afruar fëmijëve pranë shkollave.

Nga ana tjetër, Policia e Shtetit ka deklaruar pas verifikimeve paraprake se nuk rezulton asnjë rrezik konkret dhe se situata është nën kontroll.

John Kiriakou njihet si ish-oficer i operacioneve në CIA dhe një nga zërat kritikë ndaj praktikave të agjencisë, pasi në të kaluarën ka bërë publike informacione mbi programet e marrjes në pyetje.

Megjithatë, ekspertët theksojnë se deklaratat e individëve, edhe kur vijnë nga ish-zyrtarë të lartë, duhet të trajtohen me kujdes dhe të verifikohen në mënyrë të pavarur.

Deklaratat e fundit kanë rindezur diskutimin mbi rolin dhe aktivitetin e MEK, si në arenën ndërkombëtare, ashtu edhe në Shqipëri.

Ndërkohë, institucionet shqiptare vijojnë të theksojnë se nuk ka rrezik për sigurinë publike, duke kërkuar që çdo informacion të trajtohet me përgjegjësi dhe të shmangen paniku apo keqinterpretimet.

, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE