LAJME / E Diel 12 Nëntor 2023, 20:08

Izraeli nuk po kursen as të sëmurët, SHBA i kërkon të ndalë luftimet në spitalet e Palestinës

Shtetet e Bashkuara kërkojnë shmangien e luftimeve brenda spitaleve në Rripin e Gazës, të cilat rrezikojnë jetët e civilëve.

Uashingtoni i ka shprehur Izraelit qëndrimin e tij lidhur me këtë çështje, tha të dielën për kanalin televiziv CBS News këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, Jake Sullivan.

“Shtetet e Bashkuara nuk duan të shohin luftime në spitale ku njerëz të pafajshëm, pacientë që marrin kujdes mjekësor, janë bllokuar në mes të zjarrit dhe ne kemi zhvilluar konsultime aktive me Forcat e Mbrojtjes së Izraelit për këtë”, tha Sullivan në programin televiziv “Face the Nation” të kanalit CBS.

Ushtria izraelite po abuzon tmerrshëm duke vrarë edhe fëmijë. Në spitalin më të madh të Gazës, të sëmurët janë bllokuar brenda nën breshërinë e sulmeve luftarake izraelite ndërsa dy të porsalindur kanë vdekur.

Të tjerë janë të rrezikuar edhe nga një ndërprerje e energjisë elektrike që pamundëson shërbimet mjekësore.

Al-Shifa dhe spitalet e tjera në Gazën veriore, objektiva të luftës një mujore të Izraelit për të eliminuar Hamasin dhe lirimin e pengjeve të mbajtura nga militantët, mezi janë në gjendje të kujdesen për pacientët. Çdo ditë ka njoftime për të plagosur nga bombardimet izraelite.

“Aktualisht spitali Al-Shifa nuk po funksionon, askush nuk lejohet të hyjë, apo të dalë, qofshin të plagosur”, thotë Mohamed Kandil, mjek në Gazë i cili thotë se për herë të fundit ka arritur të kontaktojë me personelin mjekësor të Al Shifas, të shtunën.

Izraeli pretendon se Hamas ka ndërtuar një komandë të saj brenda dhe nën hapësirën e spitalit, akuza që janë hedhur poshtë nga Hamasi dhe personeli mjekësor.

E ndërsa palestinezët po vdesin përditë duke demonstruar faktin e papranueshëm se jeta e tyre nuk vlen, Shtetet e Bashkuara po vazhdojnë evakuimin e qytetarëve amerikanë nga Gaza.

Pala izraelite thotë se 1.200 vetë kanë vdekur nga sulmet e Hamas në tetor dhe dhjetëra të tjerë më tej.

Në Palestinë janë vrarë nga izraelitët të paktën 11.200 njerëz, mes tyre shumë fëmijë. /noa.al