LAJME / E Enjte 12 Tetor 2023, 14:02

Izraeli godet tunelet në Gaza, shkon në 2400 numri i viktimave nga konflikti (Të gjitha zhvillimet)

Përditësimi i fundit në orën 10:14

?Ushtria e Izraelit tha se nëpërmjet sulmeve ajrore po shënjestron rrjetin e tuneleve të Hamasit në Gaza. “Mendojeni Rripin e Gazës i një shtresë për civilët dhe një për Hamasin”, tha zëdhënësi i ushtrisë.

?Më shumë se 1200 persona janë vrarë në Gaza që kur Izraeli nisi sulmet ajrore. 338 000 persona janë zhvendosur si pasojë e sulmeve ajrore. Të paktën 1200 persona janë vrarë në Izrael prej luftimeve në fundjavë nga Hamasi.

?Në Izrael ka shkuar Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, që do të takojë zyrtarët izraelitë. Ai do të takojë edhe Presidentin e Palestinës, Mahmoud Abbas. Abbas ndodhet në Bregun Perëndimor dhe është kundërshtar i Hamasit në Gaza.

?20 shtetas shqiptarë kanë udhëtuar mëngjesin e sotëm nga Izraeli për në Greqi përmes një fluturimi të linjave ajrore greke, të koordinuar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme. 17 prej tyre pasi kanë mbërritur në Athinë janë nisur drejt Shqipërisë në rrugë tokësore.

Kthehen nga Izraeli 20 shqiptarë të tjerë

20 shtetas shqiptarë kanë udhëtuar mëngjesin e sotëm nga Izraeli për në Greqi përmes një fluturimi të linjave ajrore greke, të koordinuar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.

17 prej tyre pasi kanë mbërritur në Athinë janë nisur drejt Shqipërisë në rrugë tokësore dhe po transportohen për në qytetet ku ata jetojnë dhe banojnë, si: Tirana, Gjirokastra, Korça dhe Vlora, nën kujdesin e MEPJ.

Në një njoftim për mediat, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme është në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha ambasadat edhe me ministritë e vendeve të tjera të rajonit për t’i ardhur në ndihmë të gjithë qytetarëve që kërkojnë të kthehen në vendet e tyre.

Lagjia më e pasur e Gazës me pamje fantastike nga Mesdheu u shkatërrua në pak ditë| Banorët: Do të vdesim të gjithë!

Para luftës, ishte lagjia më e pasur në qytetin e Gazës, me dyqane, kafene dhe një pamje fantastike nga Mesdheu. Sot ajo është e mbushur me gërmadha pas bombardimeve të qeverisë së Izraelit, dhe siç raportohet e tillë do të jetë situata ndoshta dhe për muajt e ardhshëm.

Banorët e Rimalit as nuk e kishin imagjinuar se pas kaq shumë kohësh, lagjia e tyre do ishte epiqendër konflikti. E ndodhur vetëm 3 kilometër larg qytetit, Rimal ka qenë gjithnjë një zonë mjaft e populluar.

Karam Maher, një 18-vjeçar banor i Gazës, tha për The Daily Telegraph: “Ne menduam se urdhri i evakuimit ishte një thashethem derisa një oficer policie izraelite thirri babanë tim dhe i tha atij se ne duhet të iknim sa më parë prej aty, ose do përfundonim të vdekur”.

Tashmë familja e tij dhe Karam janë vendosur në një hotel pranë Rimalit. Ai shton: Nuk dinim ku të shkonim, asgjë nuk është si shtëpia. Edhe këtu dëgjohen shpërthimet.

Bombardimet masive izraelite atje kanë shkatërruar rrugë që zakonisht do të ishin të mbushura me shitës ushqimesh ambulante, kanë shpërbërë blloqe të tëra apartamentesh dhe dëmtuar po ashtu një xhami e ndërtesë universiteti.

Kur shpërtheu lufta, për banorët gjithçka dukej surreale, ndërsa sot ata janë të vetëdijshëm se po jetojnë ditë makthi.

Në konfliktet e shkuara mes palëve, pavarësisht bombardimeve, grupi i Hamasit qëndronte në pushtet në këtë zonë. Por, me deklaratën e fundit të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, duket se këtë herë do ndodhë ndryshe.

Me një taktikë të re, Izraeli po paralajmëron civilët që të evakuojnë të gjitha lagjet e Gazës, pasi sulmet ajrore do rrafshojnë çdo ndërtesë. Qeveria e Izraelit i ka ndryshuar ‘tonet’, pasi nuk po shqetësohet shumë për vdekjen e civilëve. E vetmja gjë që po bën aktualisht, është të paralajmërojë.

Edhe ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant është shprehur se do përdoret çdo masë për të eliminuar këdo që “lufton Izraelin”.

Nga ana tjetër, palestinezët nuk kanë ku të shkojnë.

58-vjeçari Hashem Abu Manea i cili humbi vajzën e tij të mitur ditët e fundit, thotë se askush nuk i paralajmëroi për predhat.

Gjendja është kritike, s’ka energji elektrike, ushqim të mjaftueshëm, naftë dhe as ilaçe.

Një mjek britanik, i cili është vullnetar në spitalin më të madh të Gazës, thotë se spitalet mund të shemben plotësisht deri në fund të javës nëse nuk arrihet një armëpushim.

SHBA po udhëheq bisedimet me Izraelin dhe Egjiptin për sigurimin e një korridori i cili do të shpëtonte 2 milionë palestinezë, ku gjysma e të cilëve janë nën 18-vjeç.

Kajro, një ndërmjetës i shpeshtë midis Izraelit dhe palestinezëve, thotë se një dakordësi mes palëve është e vetmja zgjidhje.

Dr Ghassan Abu-Sittah, i cili është palestinez, por u transferua në Angli në 1988-ën, thotë se ushtria izraelite synon lagje të tëra për t’i shkatërruar.

Në spitalin më të madh të Gazës, Al-Shifa, i cili është në qytetin e Gazës dhe shpesh është pika qendrore e kujdesit në momentet e krizës, ka kaq shumë të plagosur sa që vetëm ata në gjendje më kritike mund të operohen, e të tjerët vdesin duke pritur nëpër korridore.

Për ata që nuk mund të qëndrojnë në hotele pasi ikin nga sulmet ajrore, spitalet dhe shkollat, janë bërë gjithashtu strehimore të improvizuara me qindra korridore dhe klasa të mbushura me njerëz.

“Asnjë vend nuk është i sigurt në Gaza. Edhe shkollat ??e OKB-së janë në shënjestër”, thotë Afaf Al-Najar, një studente 21-vjeçare.

Kombet e Bashkuara kanë konfirmuar se katër shkolla të drejtuara prej tyre janë dëmtuar nga bombardimet izraelite, ndërsa 9 punonjës të OKB-së janë vrarë.

Ushtria izraelite ka goditur qindra ndërtesa në Rimal e Khan Yunis, që nga depot e armëve e deri te xhamitë. Thuhet se ata kanë në plan të shpërthejnë rrth 1 mijë ton eksploziv në Gaza, teksa deri tani raportohen rreth 900 palestinezë të vdekur.

“Më e keqja po vjen, të gjithë do të vdesim”, thotë një banor i Rimalit.

Izraeli: Gaza pa drita, ujë dhe karburant deri kur të lirohen pengjet

Ministri i Energjisë në Izrael, Israel Katz, tha se rrethimi i Gazës nuk do të mbarojë derisa të lirohen të gjithë pengjet.

Në një postim në rrjetet sociale ai tha se “asnjë çelës drite nuk do të ndizet, asnjë çezmë uji nuk do të hapet dhe asnjë kamion me karburant nuk do të hyjë në Gaza derisa të gjithë të rrëmbyerit të lirohen”.

Kujtojmë se Izraeli ka ndaluar furnizimet në Rripin e Gazës pas sulmeve të Hamasit të shtunën. Ndërkohë sot ka mbërritur atje edhe Sekretari amerikan i Shteti, Antony Blinken që do të takohet me zyrtarët izraelitë.

Konflikti me Hamasin, Blinken mbërrin në Izrael

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka shkuar në Izrael këtë të enjte. Ai do të zhvillojë një vizitë të shkurtër. Blinken, siç shkruan BBC, do të takohet me zyrtarët më të lartë izraelitë.

Po ashtu, ai pritet të takohet edhe me Presidentin palestinez, Mahmoud Abass. Ky i fundit qëndron në Bregun Perëndimor, ndërsa është një rival politik i Hamasit në Rripin e Gazës.

SHBA-ja i ka shprehur mbështetjen Izraelit në luftën e saj kundër terrorizmit pas sulmeve të Hamasit në fundjavën e kaluar.

Gaza, e shkuara dhe e tanishmja

Rreth 1200 civilë izraelitë, ndër ta gra dhe fëmijë e foshnja, u vranë nga sulmi i Hamasit në Izraelin jugor këtë fundjavë. Shumë izraelitë nuk janë gjendur ende.

Në kundërpërgjigje, ministri i mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant urdhëroi “rrethimin e plotë” të Rripit të Gazës. Nuk do të lejohet “elektricitet, ushqim, ujë, karburant” për mbi 2 milionë palestinezët që jetojnë atje nën regjimin e Hamasit, tha ai.

Pamjet nga Gaza mbizotërojnë në mediat sociale: pamje të rënda palestinezësh që lëvizin mes rrënojave pas sulmeve ajrore izraelite.

Autoritetet palestineze kanë raportuar se 900 persona janë vrarë në Gaza që nga e shtuna, ndër ta 500 gra dhe fëmijë, dhe se ky numër vazhdon të rritet.

Që të kuptohet kaosi i sotshëm në Gaza, duhen njohuri të historisë së saj.

Regjimi kolonial dhe themelimi i Izraelit

Gaza ishte nën kontrollin e Perandorisë Osmane deri në vitin 1917. Në vitin 1922, Palestina ishte nën regjimin kolonial britanik për gati tre dekada. Gjatë atyre viteve, hebrejtë që i largoheshin persekutimit fetar emigruan në masë drejt Palestinës, pjesa më e madhe nga Evropa Lindore ku nazizmi po fitonte terren.

Mbështetësit e Zionizmit u përpoqën të krijojnë një atdhe për hebrejtë në Palestinë, duke përmendur një lidhje historike me Tokën biblike të Izraelit. Qeveria britanike njohu Zionizmin dhe angazhua për themelimin e një shteti hebre në Palestinë. Në vitin 1948, Kombet e Bashkuara miratuan një plan me dy shtete, që u refuzua plotësisht nga udhëheqësit arabë. Megjithatë, Izraeli shpalli themelimin e tij.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Fuqitë Aleate u garantuan udhëheqësve arabë pavarësinë nga regjimi kolonial, në këmbim të mbështetjes gjatë luftës. Shumë palestinezë arabë e panë krijimin e Izraelit si një shkelje të atij premtimi.

Në maj 1948 filloi një luftë mes Izraelit dhe pesë vendeve fqinje arabe. Izraeli fitoi dhe zgjeroi së tepërmi territorin e tij, përfshirë me Jeruzalemin – një qytet i shenjtë për myslimanët dhe hebrenjtë.

Dhjetëra mijëra palestinezë, shumë prej të cilëve të larguar nga fshatrat e tyre, u larguan drejt Gazës, një brez i ngushtë bregdetar me gjatësi 25 milje që sapo ishte marrë nga ushtria egjiptiane. Popullsia e Gazës u trefishua, në rreth 200 mijë, ndërsa vazhdonin të vinin refugjatë.

Egjipti qeverisi Rripin e Gazës për dy dekada nën komandën e një guvernatori ushtarak. Gjatë asaj periudhe, palestinezët ishin të lirë të jetonin dhe të arsimoheshin në Egjipt.

Prej vitesh, fedajenët, një grup luftëtarësh palestinezë, bënin sulme ushtarake ndaj Izraelit dhe merrnin në përgjigje kundërsulme me kosto të mëdha.

Izraeli e mori Rripin e Gazës gjatë Luftës së Lindjes së Mesme të vitit 1967 dhe largoi guvernatorin egjiptian. Ushtria izraelite mbikëqyrte këtë territor, ndërkohë që banorë të shumtë të Gazës filluan të gjenin punë në vendbanimet që izraelitët kishin ngritur pranë Gazës.

Ndërsa shikonin në pronësi të izraelitëve tokën që dikur u përkiste, ishte e dhimbshme për shumë palestinezë – dhe deri më sot “pushtimi”, si e quajnë shumë aktivistë të të drejtave të njeriut, është burim indinjate të hidhur.

Trazirat civile shpërthyen në vitin 1987 pasi një kamion i Forcave Mbrojtëse të Izraelit (IDF) u përplas mbi një makinë civile, duke vrarë katër punëtorë palestinezë. Banorët e Gazës i konsideruan vdekjet si një sulm i paramenduar, një pretendim që është mohuar nga qeveria e Izraelit. Pasuan greva dhe demonstrata gjatë të cilave goditej me gurë.

Duke përfituar nga trazirat, Vëllazëria Myslimane, një organizatë sunite islamiste me seli në Egjipt, krijoi një grup militant në Gaza të quajtur Hamas. Në pak kohë, Hamasi u bë sfidant i fortë ndaj Yasser Arafatit, udhëheqësit të Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO).

Misioni i deklaruar i Hamasit është shkatërrimi i Izraelit dhe vendosja e një qeverisjeje islamike. Gjuha e kartës së tij themeltare, ku bëhet thirrje për dhunë ndaj hebrejve kudo që janë, është denoncuar gjerësisht.

Në vitin 1993, Izraeli dhe PLO-ja ranë dakord për Marrëveshjen e Oslos, një marrëveshje e paprecedentë paqeje që krijonte Autoritetin Palestinez dhe i jepte atij pushtet të kufizuar mbi Gazën dhe Jerikon, një qytet në Bregun Perëndimor. Zoti Arafat madje u lejua të kthehej në Gaza pas një mërgimi prej dekadash.

Marrëveshja e Oslos premtoi shtetformim, por në vitet në vijim, plani dështoi pasi palestinezët dyshohet se nuk përmbushën kushte të ndryshme. Ndërsa Izraeli vazhdonte ndërtimin e vendbanimeve, Hamasi fitoi më shumë ndikim tek banorët e zhgënjyer të Gazës.

Në fund të shekullit, ndasitë midis Izraelit dhe palestinezëve u zgjeruan pasi sulmet vetëvrasëse me bomba dhe të shtënat me armë të Hamasit në vitin 2000, morën si përgjigje shtetrrethime dhe pika kontrolli në të gjithë Gazën.

Brenda natës, Izraeli praktikisht mbylli industrinë e peshkimit të Gazës, një shenjë dalluese e ekonomisë lokale. Arsyetimi i Izraelit ishte se Hamasi fuste kontrabandë me anijet e peshkimit armët që përdoreshin në sulmet terroriste.

Deri në gusht të vitit 2005, ushtria izraelite e kishte braktisur plotësisht Gazën, pasi kishte evakuuar disa vendbanime në këtë territor në kuadrin e asaj që u njoh si një marrëveshje tokë-për-paqe. Në Rripin e Gazës të rrethuar me gardhe me tela me gjemba, u stimulua tregtia e tregut të zi. Në mungesë të vendeve të punës që Izraeli sillte në Gaza, kontrabandistët lëviznin mallra brenda dhe jashtë zonës përmes tuneleve nëntokësore drejt Egjiptit.

Në një përmbysje të madhe, Hamasi mori zgjedhjet parlamentare në Gaza në vitin 2006 dhe mori kontrollin e enklavës nga mbështetësit e Arafatit.

Hamasi nuk ka organizuar më zgjedhje që nga ajo kohë dhe Izraeli ka mbajtur një bllokadë ndaj Gazas për mbi 15 vite. Kombet e Bashkuara në vitin 2009 kritikuan kufizimet e gjata që “shkaktojnë rrënim”. Por Izraeli ka argumentuar se pa kontroll të rreptë të asaj që hyn dhe del nga Gaza, Hamasi mund të forcohet duke marrë më shumë armë vdekjeprurëse.

Egjipti gjithashtu ka vendosur kufizime të forta në kufirin e tij me Gazën dhe ka shkatërruar tunelet për shkak të shqetësimeve për sigurinë kombëtare.

Në vitin 2014, Hamasi goditi me raketa qytetet izraelite. Izraeli shkatërroi lagje të tëra në Gaza me sulme ajrore në kundërpërgjigje. Mbi 2,100 palestinezë vdiqën, shumica e të cilëve ishin civilë. Hamasi shpesh vendoset në qendrat urbane dhe ka përdorur banorët si mburoja njerëzore në konflikte që në vitin 2007, sipas Qendrës për Komunikime Strategjike të NATO-s.

Gjakderdhja që Hamasi shkaktoi mbi civilët izraelitë më 7 tetor, dita e festës hebraike Shemini Atzeret, ka tërhequr vëmendjen e të gjithë botës.

Pasi hyri në qytetet izraelite, Hamasi hapi zjarr ndaj një festivali muzike dhe mori peng dhjetëra civilë. Izraeli goditi Gazën me sulme ajrore, duke shkatërruar lagje të tëra.

Irani mendohet se mbështet Hamasin me stërvitje taktike, udhëzime se si të montojnë raketa me sisteme të avancuara drejtimi, si dhe me fonde prej gati 100 milionë dollarësh në vit – të gjitha këto kanë kontribuar për përmasat që pati ky sulm, kanë vënë në dukje zyrtarët amerikanë.

Analistët thonë se Izraeli po përgatit një sulm frontal ushtarak në Gaza. Një zëdhënës i forcave izraelite IDF, Jonathan Conricus, tha se 7 tetori është absolutisht “dita më e keqe në historinë izraelite… një 11 shtator dhe një Pearl Harbor të marra së bashku”.

Izraeli shënjestron tunelet në Gaza

Sulmet ajrore izraelite në Gaza vijojnë. Avionët po shënjestrojnë tashmë rrjetin nëntokësor të ndërtuar dhe populluar me militantë të Hamasit.

“Ajo që Hamasi ka bërë që kur mori kontrollin 20 vite më parë, ishte ndërtimi i një rrjete tunelesh nga qyteti i Gazës dhe nën qytetin e Gazës deri në Khan Yunis dhe Rafah”, tha zëdhënësi Jonathan Conricus.

Ai u shpreh më tej se Rripi i Gazës duhet menduar në dy shtresa, një për civilët që rrinë në sipërfaqe dhe një nëntokë, ku rrinë militanët e Hamasit.

“Ajo që po përpiqemi të bëjmë është që të shkatërrojmë shtresën e dytë që ka ndërtuar Hamasi. Këto nuk janë bunkere për civilët e Gazës që të kenë akses kur Izraeli godet”, tha ai.

Ish-negociatori izraelit flet me Hamasin për pengjet

Disa familjarë dhe miq të personave që janë rrëmbyer nga Hamasi kanë kontaktuar Gershon Baskin, një ish-negociator izraelit që më parë mundësoi lirimin e ushtarit Gilad Shalit, i cili u mbajt nga Hamasi për 5 vite.

Duke folur për disa media ndërkombëtare, Baskin tha se po flet me Hamasin duke u përpjekur që t’i bindë që t’i lirojë femrat dhe fëmijët dhe t’u dërgojë atyre mjekime.

“Unë mendoj se Hamasi është po aq i befasuar sa Izraeli me suksesin e tij në operacionin ushtarak… në përpjekjen e tyre për të rrëmbyer aq shumë njerëz sa bënë ata”, tha ai.

Sipas asaj që ka komunikuar me Hamasin, Baskin tha se beson se femrat nuk do të përdhunohen dhe civilët nuk do të torturohen.

“Nuk jam i sigurt nëse kjo do të ndodhë edhe me ushtarët”, tha ai.