LAJME / E Premte 11 Shtator 2026, 18:06

Historia e trishte ku humbi jeten 28 vjecari, djali i vetem i familjes Shala

Një aksident i rëndë i ndodhur para pesë muajsh në Qerret të Durrësit, i mori jetën në lule të rinisë 28-vjeçarit Andi Shala, i cili doli për të blerë një paketë cigare dhe nuk u kthye më kurrë te prindërit e tij. Jeta e të riut u ndërpre në mënyrë tragjike, pasi teksa lëvizte në fshat me motorin e tij, një “Benz” humbi drejtimin dhe e ngriti në ajër, ku brenda disa sekondave trupi i tij fluturoi nga një anë e rrugës në tjetrën, duke e lënë të vdekur në vend.

Sot, 5 muaj nga humbja e djalit të tyre të vetëm, prindërit e Andit e kanë akoma të paqartë se pse është liruar autori 19-vjeçar i ngjarjes. Mes lotësh dhe një dhimbjeje të papërshkrueshme, prindërit e Andit shprehen se shoferi i “Benz”-it, brenda muajt është nxjerrë nga burgu dhe është lënë në arrest shtëpie për tragjedinë e shkaktuar.

“Benz”-i i drejtuar nga adoleshenti ka devijuar rrugën duke përfunduar në anën e kundërt ku dhe është përplasur me motorin që drejtohet nga 28-vjeçari, i cili u rrotullua dhe përfundoi me goma në ajër disa metra më poshtë andej.

Në lidhje me këtë aksident, ekspertët kanë bërë me dije se i riu ngiste makinën me 77 km/orë, ndërsa para hetuesve ai ka pretenduar se ka qenë me 40 km. Ndërsa prindërit e Andit kërkojnë që autori i ngjarjes të vuajë dënimin e tij për ngjarjen e rëndë. Mes lotësh, mamaja e Andit, Valbona Shala është shprehur se kurrë nuk do e falë 19-vjeçarin, pasi ai i mori asaj djalin e vetëm.

“Sa të jetë gjallë nuk ia fali, jo më në një fshat, i del ai para syve. Unë djalin ta dërgoj në dhe, nuk ia fali. E kam shumë të rëndë. Ne kërkojmë zbardhjen e plotë të ngjarjes. Për punë pesë minutash iku për të marrë një paketë dhe iku nga kjo jetë, i mbylli sytë, nuk e pashë, e përcolla për në botën tjetër, nuk e pashë. Ishte djali im i vetëm. Më del dhe në ëndërr. Ai tjetri është gjallë me frymë, ndërsa djali im jo”, tha Valbona Shala.