LAJME / E Premte 27 Tetor 2023, 15:03

Gazetari i njohur zbërthen detajin ‘kyç’ të dosjes: Si u shkarkua ish-gjenerali Vladimir Qirjazi se nuk i dorëzoi Berishës ish-kompleksin Partizani

Gazetari Adriatik Doçi i ftuar në emisionin "Shqip" foli gjatë për arrestimin e Jamarbër Malltezit, akuzat e ngritura ndaj Berishës për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani. 


Doçi tregoi se si u shkarkua nga posti në 2009-ën, ish-gjenerali Vladimir Qirjazi nga drejtimi i Komandës Mbështetëse se nuk donte të dorëzonte tokën ku ishte kompleksi Partizani. Ai tregon me emra personazhet e politikës që u përfshinë në privatizimin e ish-klubit Partizani.

“Në dosje ka një pikë kyçe që unë e kam zbërthyer. Çfarë ndodhi, kush firmosi për të dorëzuar tokën ku ishte kompleksi Partizani në mars të 2009-ës? Ishin 5 ministra të përfshirë, Fatmir Mediu, Gazmend Oketa, Arben Imami, Ritvan Bode, Genc Ruli që firmosën.

Në 2009-ën u kopsitën të gjitha letrat që kjo tokë me gjithë godinë të kalojë te grupi i Jamarbër Malltezit. Që të kalonte toka, duhet të firmoste kreu i Komandës Mbështetëse që ishte Vladimir Qirjazi. I kërkojnë Qirjazit përmes shkresave që duhet të dorëzojë tokën.

Qirjazi, gjenerali u kthen përgjigje duke u thënë: nuk kam si të firmos dorëzimin e pronës në kushte që nuk e kam marrë në dorëzim dhe nuk i takon Komandës Mbështetëse. Dhe iu kërkua Gazmend Oketës që ishte ministër i Mbrojtjes ta firmosë. Ata vazhduan presionin ndaj Qirjazit.

Në 30 mars 2009-të u sajua një ankesë e ish-pronarëve që ankohen ndaj Qiriazit dhe kjo ankesë shkon në Kryeministri, duke thënë se ai nuk po zbatonte ligjin.

Kjo ankesë nuk rezulton në protokollin e Kryeministrisë. Mund të jetë sajuar nga brenda Kryeministrisë, mund të jetë sajuar për të ngritur një mekanizëm për të ndëshkuar Vladimir Qirjazin. SPAK-u ka marrë në pyetje ata që kanë firmosur ankesën.

Është një denoncues Ardian Llagami. U tha se Llagami, ish-pronar ka bërë një ankesë në kryeministri ndaj Qirjazit dhe e ka pyetur SPAK-u nëse ka firmosur. Dhe ai thotë nuk e ka firmosur. Pra që këtu fillon manipulimi i një shkresë për të vendosur në lëvizje antikorrupsionin në Kryeministri, për të goditur Qirjazin që ishte bërë pengesa e fundit.

Më 16 mars 2009-të hyn në lojë Berisha që firmos një shkresë ku kërkohet kontrolli i Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Komandës Mbështetëse për zbatimin e ligjit për vënien në dorëzim të ish-klubit Partizani. Berisha përdori pushtetin për t’i dhënë tokën dhëndrit.

Mjafton vetëm ky fakt që implikon Berishën për shpërdorim detyre. Pas nxjerrjes së kësaj shkrese, vihen në lëvizje Gjergj Lezhja që ka qenë sekretar i përgjithshëm dhe Oerd Bylykbashi, që ishte drejtor i antikorrupsionit në Kryeministri. Ata ngritën një grup kontrolli për të shkuar te Komanda Mbështetëse te Vladimir Qirjazi.

Pjesë e këtij grupi është dhe Ilir Kadiu, një ish-pronar i Partizanit, që ka firmosur me Jamarbër Malltezin për t’i dhënë 3-5% të tokës nëse ia kthen tokën, ndërkohë ishte edhe pjesë e grupit të kontrollit në Kryeministri, për antikorrupsionin, që do kontrollonte Vladimir Qirjazin që u ka bllokuar pronën. Qirjazi i drejtohet Oketës dhe i thotë që nuk e ka ai në komandë tokën. Ai shkoi edhe te Bamir Topi atë kohë president, ku i shpjegoi të gjitha rrethanat dhe presionin që po i bënin për të dorëzuar një tokë që nuk e kishte. Pas takimit me Topin në 26 maj 2009-ës, në 2 shtator 2009-të, Bamir Topi nxjerr dekret për shkarkimin e Vladimir Qirjazit nga detyra dhe në vend të tij vendosi Xhemal Gjunkshin. Gjunkshi pastaj u shpërblye dhe u bë deputet nga Sali Berisha, po ashtu edhe shef i Shtabit të Përgjithshëm. Pas largimit të Oketës hyri në lojë Arben Imami. Imami i kërkoi Gjunkshit të dorëzojë tokën te ish-pronarët, sepse u eliminua tashmë pengesa, pra Vladimir Qirjazi. Më 16 tetor Xhemal Gjunkshi ngriti grupin për të marrë në dorëzim tokën. Dhe po atë ditë, iu dorëzua toka Jamarbër Malltezit. Pas disa ditësh bëhet akti i blerjes së pronave që ishin te toka e ish-klubit Partizani dhe nis faza e dytë e aferës korruptive që është investimi i parave të pista për të ngritur 17 kulla”, u shpreh Doçi.