LAJME / E Premte 13 Tetor 2023, 00:12

Gaza në prag të katastrofës humanitare

Mbi 300 nijë të pastrehë ndërsa Izraeli përgatitet për ofensivë tokësore

“Le ta dëgjojmë zërin tënd, babai yt është këtu,” i tha gazetari i Reuters në Gaza, Mohammed Salem, djalit të tij të porsalindur pasi ai e priti të Enjten, ndërsa mbulonte bombardimet e ashpra izraelite në enklavë.

Nga mbulimi i sulmeve ajrore, pasojat dhe funeralet, Salem e gjeti veten në repartin e maternitetit të spitalit Al Sahaba në qytetin e Gazës, duke mbajtur dorën e djalit të tij Abdullah.

Këtu, palestinezët në qytetin Khan Younis të Gazës kanë filluar të varrosin të afërmit e tyre në vende të rastësishme përreth qytetit, ndërsa numri i viktimave nga sulmet e vazhdueshme izraelite vazhdon të rritet.

Situata në Gaza është “e rëndë”, ushqimi dhe uji po mbarojnë për shkak të rrethimi izraelit. Enklava palestineze po mbështetet te gjeneratorët pasi i vetmi termocentral i saj mbeti pa karburant.

Numri i izraelitëve të vrarë nga Hamasi është rritur në 1300, të paktën 150 vetë janë marrë pengje në Gaza. Nga palestinezët, mbi 1,400 vetë janë vrarë në Gaza që kur Izraeli filloi sulmet ajrore hakmarrëse, 338,000 janë shpërngulur.

Teksa ishte dëshmitar i varrimit të disa trupave, Adel Hammad tha se njihte të paktën 50 prej tyre.

Një grumbull njerëzish u pa duke shkarkuar trupa të mbuluar me batanije nga një kamion dhe duke i shtrirë në varret e sapohapur.

11-vjeçarja palestineze, Remas Abu Tabeekh, tha se e ka kaluar gjithë jetën e saj në frikë dhe ankth, dëshmitare e shumë luftërave në Rripin e Gazës që nga lindja.

Abu Tabeekh dhe familja e saj kërkuan strehim jashtë spitalit Al Shifa, pas sulmeve të pamëshirshme ajrore izraelite në enklavë.

“Ne lamë shtëpinë tonë dhe qëndruam në rrugë. Ka aeroplanë në qiell-gjithçka është e frikshme. Hebrenjtë po na bombardojnë, edhe kur jemi këtu, ata po na bombardojnë dhe ne jemi të frikësuar.”

Dhjetëra vetë u panë të mbledhur në oborrin e spitalit kthyer tani në strehimore me shpresën për të mos u shënjestruar nga sulmet ajrore. Në Gaza, një shkollë bëhet strehë për fëmijët dhe familjet.

Këtu çasti i një sulmi izraelit. Sulmet nuk do të ndalojnë ndaj Rripit të Gazës sipas ushtrisë izraelite, dhe as furnizimet me energjie, karburant, ushqime dhe ujë të pijshëm nuk do të rifillojnë pa u liruar të gjithë pengjet.

Izraeli është zotuar ta asgjësojë lëvizjen Hamas që sundon Rripin e Gazës, si ndëshkim për sulmin më vdekjeprurës ndaj civilëve në historinë izraelite.

Izraeli e ka rrethuar plotësisht Gazën dhe po ndërmerr fushatën më të fuqishme të bombardimeve në historinë 75-vjeçare të konfliktit izraelito-palestinez.

Brenda Izraelit, zemërimi është rritur ndaj qeverisë. Banorët e Tel Avivit shprehën zhgënjimin dhe zemërimin ndaj kryeministrit Benjamin Netanyahu, të cilin e bëjnë përgjegjës për sulmin e së Shtunës së kaluar.

Megjithëse një ditë e bukur dhe me diell, plazhet e Tel Avivit mbetën bosh pasi shumë banorë u strehuan në ambiente të mbyllura, alarmet paralajmëruese për sulme me raketa nga Gaza bien vazhdimisht.

“Po përpiqem të jem e arsyeshme, por jam shumë e frustruar dhe kaq e zemëruar me atë që na bëri. Është ai! Bibi! Kush tjetër? E dini, Egjipti i tha se do të vijë diçka e madhe nga Hamasi. “Jo, nuk na intereson.” E gjithë ushtria, Shabak, e paralajmëruan për Hamasin, Ai tha: ‘Jo, mos u shqetësoni. Mos u shqetësoni, dhe ja e shihni se çfarë ndodhi. (Netanyahu) duhet të largohet menjëherë, menjëherë! Ai është një vrasës.”

Të shtëna armësh mund të dëgjoheshin nga skena e Festivalit të muzikës Nova, ndërsa ushtarë izraelitë patrullojnë.

“Hamasi është ISIS. Ne nuk do të jetojmë me ISIS pranë kufijve tanë,” tha për Reuters në vendngjarje zëdhënësi ushtarak izraelit Daniel Hagari.

Këtu familje izraelite të mbledhur në varrezat e malit Herzl të Jerusalemit për funeralet e ushtarëve që humbën të rënë.

Edhe këtu në Jerusalem gjendja mbetet e tensionuar. Dy policë izraelitë u plagosën dhe një person i armatosur u qëllua prej tyre.

Media shtetërore siriane raportoi se sulmet ajrore izraelite goditën të Enjten aeroportet ndërkombëtare të kryeqytetit sirian Damask dhe qytetin verior të Aleppos, duke dëmtuar pistat e tyre dhe duke i nxjerrë jashtë funksionit. Sulmet anuluan vizitën e ministrit të Jashtëm iranian, avioni i të cilit u detyrua të kthehet mbrapsht.