
E trishtë! Humb jetën në spitalin e Durrësit një vajzë 12-vjeçare
Sipas informacioneve të para, dyshohet se shkaku ka qenë një hemorragji cerebrale.
Mësohet se vajza, është paraqitur në urgjencën e pediatrisë me kriza epileptike, ku ka marrë mjekimin fillestar dhe gjendja e saj është stabilizuar përkohësisht.
Megjithatë, disa momente më vonë, gjendja e saj është përkeqësuar dhe është transferuar në reanimacionin e të rriturve, ku fatkeqësisht ka ndërruar jetë.
Mjekët e spitalit rajonal të Durrësit e cilësojnë këtë një rast tepër të rrallë tek fëmijët dhe shprehen se shkaku mund të ketë qenë një aneurizëm ose një keqformim i lindur.
