LAJME / E Martë 31 Mars 2026, 01:01

E fundit! SHBA “rrethon” Iranin: Mijëra parashutistë elitë dhe marinsa zbarkojnë në rajon

Mijëra ushtarë amerikanë nga divizioni elitë ajror kanë nisur të mbërrijnë në Lindjen e Mesme, në një moment kur administrata e Presidentit Donald Trump po shqyrton hapat e radhës në përballjen me Iranin.

Sipas raportimeve të agjencisë Reuters, bëhet fjalë për trupa nga Divizioni i 82-të Ajror i ushtrisë amerikane, një njësi e specializuar për ndërhyrje të shpejta dhe operacione në terrene të rrezikshme. Ata i shtohen mijëra forcave të tjera, përfshirë marinsat, forcat speciale dhe elementë detarë, që janë dërguar së fundmi në rajon.

Vetëm gjatë fundjavës, rreth 2500 marinsa amerikanë kanë mbërritur në Lindjen e Mesme, ndërsa dislokimet e reja përfshijnë edhe një brigadë luftarake, staf komandues dhe mbështetje logjistike.

Zyrtarë amerikanë, që folën në kushte anonimiteti, nuk kanë bërë të ditur vendndodhjen e saktë të trupave, por theksojnë se kjo lëvizje synon rritjen e kapaciteteve për operacione të mundshme në të ardhmen.

Aktualisht nuk ka një vendim për dërgimin e trupave tokësore brenda territorit iranian, megjithatë skenarët që po diskutohen brenda administratës përfshijnë opsione shumë më të gjera.

Një prej tyre lidhet me mundësinë e marrjes nën kontroll të ishullit strategjik Kharg, përmes të cilit kalon rreth 90% e eksporteve të naftës së Iranit. Një operacion i tillë konsiderohet me rrezik të lartë, pasi zona është e ekspozuar ndaj sulmeve me raketa dhe dronë nga ana e Teheranit.

Në diskutim janë edhe skenarë të tjerë, si përdorimi i forcave tokësore për të siguruar materiale bërthamore ose për të garantuar kalimin e sigurt të anijeve cisternë në Ngushticën e Hormuzit, një pikë kyçe për tregtinë globale të energjisë.

Nga ana tjetër, presidenti Trump ka deklaruar se SHBA është në kontakte për të arritur një zgjidhje me atë që ai e quajti një “regjim më të arsyeshëm” në Iran, por ka paralajmëruar sërish Teheranin që të mos bllokojë Ngushticën e Hormuzit, duke lënë të hapur mundësinë e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike.

Ndërkohë, përfshirja e mundshme e trupave tokësore mbetet një çështje e ndjeshme politikisht në SHBA, duke pasur parasysh mbështetjen e ulët publike për një konflikt të zgjeruar me Iranin dhe premtimet e mëparshme për shmangien e luftërave të reja në Lindjen e Mesme.

Që prej nisjes së operacioneve më 28 shkurt, SHBA ka ndërmarrë mbi 11 mijë goditje ndaj objektivave të ndryshme. Si pasojë e këtyre veprimeve, më shumë se 300 ushtarë amerikanë janë plagosur, ndërsa 13 të tjerë kanë humbur jetën në kuadër të operacionit ushtarak, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE