
Një aheng familjar në fshatin Tërnavë të Podujevës ka përfunduar me ndërhyrjen e Policisë, pasi gjatë festës së një dasme dyshohet se janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri.
Sipas burimeve të Sinjalit, rasti ka ndodhur mbrëmjen e 31 korrikut, rreth orës 22:00, pasi Policia e Kosovës pranoi informacione operative për të shtëna me armë në lagjen e Vllahive.
Burimet bëjnë të ditur se i dyshuari kryesor është Enis Vllahiu, rreth 21 vjeç, i cili dyshohet se ka shtënë me një pushkë automatike të tipit AK-47 gjatë ahengut të organizuar për martesën e tij.
Pas mbërritjes së njësive policore në vendin e ngjarjes, i riu është paraqitur vetë para zyrtarëve dhe, sipas burimeve, ka pranuar se kishte shtënë me armë zjarri për të festuar ditën e martesës.
Ai më pas ua ka dorëzuar vullnetarisht policëve pushkën automatike AK-47, së bashku me një karikator pa fishekë, të cilat janë sekuestruar si prova materiale.
Në vendin e ngjarjes është paraqitur edhe Beqir Vllahija, rreth 61 vjeç, i cili ka deklaruar se posedonte një pistoletë me gaz. Sipas tij, arma nuk ishte përdorur, pasi kishte qenë jofunksionale për shkak të bllokimit të karikatorit.
Të dy personat janë shoqëruar në Stacionin Policor në Podujevë, ku janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj tyre është iniciuar procedurë për veprat penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Pas përfundimit të procedurave fillestare, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet për rastin janë duke vazhduar.
Autoritetet rikujtojnë se përdorimi i armëve të zjarrit gjatë ahengjeve dhe festimeve është i ndaluar dhe përbën vepër penale, pasi rrezikon sigurinë e qytetarëve dhe mund të ketë pasoja të rënda.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të provohet me vendim të formës së prerë të gjykatës, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
