
Milaim Zeka është dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë për veprën penale të shmangies tatimore, në kuadër të rigjykimit që lidhet me rastin e njohur të vizave të punës.
Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjyqtarja Edita Çanta, Zekës i është shqiptuar dënim me një vit burgim me kusht, i cili nuk do të ekzekutohet nëse brenda periudhës verifikuese prej dy vitesh nuk kryen vepër tjetër penale. Po ashtu, ai është dënuar edhe me gjobë prej 3 mijë eurosh.
Gjykata ka obliguar Zekën që Administrata Tatimore e Kosovës t’i kompensojë 81 mijë euro në emër të dëmit të shkaktuar.
Ndërkohë, për Ilir Krasniqi dhe për Milaim Zekën lidhur me pikën e dytë të aktakuzës, gjykata ka marrë aktgjykim refuzues, pasi prokuroria ishte tërhequr nga akuza gjatë fjalës përfundimtare.
Rasti i shmangies tatimore është pjesë e procesit gjyqësor ku Zeka, Krasniqi dhe Edmond Kërliu akuzoheshin për mashtrim dhe pastrim parash në lidhje me vizat e punës. Për këto vepra, ata ishin liruar nga akuzat me vendim të Gjykatës Themelore në prill të vitit 2022.
Megjithatë, Gjykata e Apelit e Kosovës më 30 dhjetor 2023 kishte vendosur ta kthejë në rigjykim vetëm pjesën e aktakuzës që kishte të bënte me shmangien tatimore.
Në seancën e mbajtur më 9 qershor 2026 ishte dëgjuar edhe eksperti financiar Ilaz Papaj.(INA) do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
