LAJME / E Hënë 3 Gusht 2026, 17:05

Autopsia zbulon si e humbi jetën 25-vjeçari shqiptar

Janë zbardhur detaje të reja nga hetimet për vrasjen e 25-vjeçarit shqiptar Kevin Muharremi, i cili humbi jetën në orët e para të 14 shkurtit në Montecalvoli të Italisë. Raporti i autopsisë, i përfunduar nga mjekësia ligjore italiane, ka sqaruar shkakun e saktë të vdekjes së të riut dhe ka hedhur më shumë dritë mbi dinamikën e ngjarjes tragjike.

Sipas raportit të hartuar nga mjeku ligjor Marco Di Paolo dhe të dorëzuar në Prokurorinë e Pizës, Kevin Muharremi humbi jetën pasi u godit nga një plumb në anën e djathtë të qafës. Ekspertiza mjeko-ligjore ka konstatuar se predha shkaktoi dëmtime të rënda në rruazat e qafës dhe ndërpreu rrugët nervore, duke sjellë paralizë të menjëhershme të frymëmarrjes dhe gjakderdhje të brendshme fatale.

Raporti konfirmon se viktima ishte goditur edhe nga një plumb i dytë në krah, por kjo plagë nuk konsiderohet shkaku i vdekjes.

Sipas hetimeve, ngjarjes i kishte paraprirë një konflikt mes dy grupeve të rinjsh shqiptarë. Përplasja kishte nisur brenda një lokali në Capanne di Montopoli dhe më pas kishte vazhduar edhe në parkingun e tij, ku situata ishte tensionuar edhe më shumë.

Pas konfliktit fillestar, palët kishin komunikuar me telefon dhe kishin rënë dakord të takoheshin sërish në Viale della Repubblica për të sqaruar mosmarrëveshjen.

Rreth orës 05:25 të mëngjesit, ndaj automjetit tip Fiat Doblò, ku ndodhej Kevin Muharremi, u qëllua disa herë me armë zjarri. Hetimet paraprake flasin për më shumë se gjashtë të shtëna të shkrepura me një armë gjysmëautomatike të tipit Beretta, kalibër 6.35.

Pavarësisht reagimit të menjëhershëm të miqve të tij, të cilët kërkuan ndihmë, dhe përpjekjeve të ekipeve mjekësore për ta rikthyer në jetë, 25-vjeçari nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra dhe u shpall i vdekur në vendngjarje.

Në lidhje me këtë rast, autoritetet italiane kanë arrestuar si të dyshuar kryesor shqiptarin 20-vjeçar Renato Xyke. Ai u lokalizua dhe u arrestua në qytetin e Arezzos, ndërsa po largohej së bashku me familjen në një automjet Range Rover Evoque.

Sipas mediave italiane, i dyshuari nuk e ka mohuar se kishte qëlluar me armë zjarri gjatë incidentit, ndërsa motivet dhe rrethanat e plota të ngjarjes vazhdojnë të jenë objekt hetimi.

Në automjet me të ndodhej edhe një 18-vjeçar shqiptar, i cili po hetohet në gjendje të lirë. Ai është paraqitur vullnetarisht në Prokurori për të dhënë dëshminë e tij mbi atë që kishte ndodhur.

Ndërkohë, ekspertët balistikë vijojnë analizat e armës së sekuestruar dhe provave të mbledhura në vendngjarje, me qëllim zbardhjen e plotë të dinamikës së krimit dhe rolit të secilit person të përfshirë.

Hetimet pritet të përfundojnë në javët në vijim, ndërsa më pas çështja do t’i kalojë gjykatës për procedurat e mëtejshme.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE