LAJME / E Premte 27 Tetor 2023, 14:02

Drogë e para në makinë, arrestohet nipi 22-vjeçar i ish-deputetit Rrahman Rraja

Ariel Rraja u arrestua nga policia pas një kontrolli që autoritetet ushtruan në makinën e tij e ku iu gjet drogë e para.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve arrestuan Ariel Rraja 22 vjeç, banues në Nikël, Krujë, pasi gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit në automjetin që drejtonte, shërbimet e Policisë gjetën sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë dhe shuma parash, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin”, thuhet në një njoftim të policisë së Tiranës.

22-vjeçari Ariel Rraja, sipas Klan News, është nipi i ish-deputetit Rrahman Rraja. Ai është djali i Flamur Rrajës, aktualisht në kërkim, pasi akuzohet se u përfshi në sherrin me kushërinjtë Maja në Korrik të këtij viti në zonën e Fushë Krujës.

Ndërkohë, gazetari Besar Bajrataraj mëson se deklarimi i vetëm që dha 22-vjeçari në momentin që ku arrestua nga policia ishte: “Jam i tensionuar, do të flas në një moment të dytë”.

22-vjeçarit mësohet se iu gjetën më shumë se 200 mijë lekë dhe para të tjera në valutën e eurove në makinë dhe më shumë se 50 gramë kokainë. Vlera e drogës në treg shkon në rreth 5 milion lekë të vjetra. Sipas gazetarit sektori i narkotikëve kishte informacione se i riu mund të kishte lëndë narkotike në makinë dhe iu vu nga pas dhe pas kontrollit rezultoi të ishte e vërtetë./tvklan.al