Ilir Kulla tregon prapaskenat, ja si mori fund "vëllazëria" mes tyre

Analisti dhe eksperti i sigurisë Ilir Kulla, i ftuar në podkastin “Të Pashoq” të Pamfletit në YouTube,
deklaroi se Edi Rama ka bërë një gabim të rëndë politik duke i besuar Aleksandar Vuçiçit
për projektin e Ballkanit të Hapur. Sipas tij, presidenti serb e përdori këtë nismë për
interesa të brendshme politike, ndërsa zhvillimet në Serbi nuk duhen interpretuar përmes përplasjeve politike në Shqipëri.
Edi Rama është treguar naiv në marrëdhëniet me Aleksandar Vuçiçin dhe ka gabuar rëndë duke besuar se projekti i Ballkanit të Hapur mund të sillte një bashkëpunim të ri rajonal. Kështu u shpreh analisti dhe eksperti i sigurisë Ilir Kulla gjatë intervistës në podkastin “Të Pashoq” të Pamfletit.
Duke komentuar zhvillimet politike në Serbi dhe reagimet që ato kanë shkaktuar në Tiranë, Kulla tha se, sipas vlerësimit të tij, marrëdhënia politike mes Ramës dhe Vuçiçit është ftohur prej disa vitesh.
Ai argumentoi se kryeministri shqiptar ka kuptuar që Vuçiçi i përdorte çështje si Ballkani i Hapur dhe diskutimet për ndryshimin e kufijve për llogari të politikës së brendshme serbe.
Sipas Kullës, presidenti serb kishte krijuar pritshmëri të rreme te Rama dhe Hashim Thaçi, ndërsa projekti i Ballkanit të Hapur përfundoi në dështim.
“Ballkani i Hapur ishte një çmenduri, sepse nuk mund të ribësh edhe një herë Jugosllavinë e tretë. Koha e tregoi që dështoi”, u shpreh ai.
I pyetur për reagimet e disa figurave socialiste ndaj zhvillimeve në Serbi, Kulla tha se secili prej tyre po e interpreton rezultatin serb në funksion të situatës politike shqiptare. Megjithatë, ai kundërshtoi vendosjen e një paraleleje të drejtpërdrejtë mes dy vendeve.
Analisti argumentoi se Serbia ka një histori dhe një kontekst politik krejt tjetër, duke kujtuar periudhën e qeverisjes së Zoran Gjingjiçit dhe mungesën, sipas tij, të një përballjeje të plotë të shtetit serb me krimet e luftërave në ish-Jugosllavi.
Kulla theksoi gjithashtu se nuk pajtohet me etiketimin e Ramës si tradhtar, por mbetet kritik ndaj zgjedhjes së tij për t’i besuar Vuçiçit.
Sipas tij, dështimi i Ballkanit të Hapur duhet ta ketë shtyrë kryeministrin shqiptar të reflektojë mbi gabimet e bëra në marrëdhëniet me Beogradin.
Pyetje: Është mërzitur kryeministri shqiptar nga rënia e Vuçiçit? Ka pasur edhe socialistë që kanë reaguar për zhvillimet në Serbi.
Ilir Kulla: Unë mendoj që Rama me Vuçiçin janë ndarë para disa vitesh, kur Rama e kuptoi që Vuçiçi çështje të tilla si Ballkani i Hapur apo ndryshimi i kufijve i bënte për llogari të brendshme politike.
Rama besoj e ka të qartë që Vuçiçi ka mashtruar Thaçin dhe Ramën kur tregonte që donte të bënte Ballkanin e Hapur e të tjera. Besoj që ka kohë që Rama ka qenë i distancuar.
Sigurisht, mendoj që është treguar naiv që në atë kohë. E kam thënë shpesh që Ballkani i Hapur është një çmenduri, sepse nuk mund të ribësh edhe një herë Jugosllavinë e tretë. Dhe koha e tregoi që dështoi.
Pyetje: Po reagimet në Tiranë për rezultatin në Serbi? Spiropali, Veliaj dhe të tjerë e përcollën me mesazhe që dukeshin sikur i drejtoheshin indirekt Ramës.
Ilir Kulla: Secili nga këta që përmende e lexon rezultatin e Serbisë me kontekstin e brendshëm të Shqipërisë. Por nuk janë dy gjëra që kanë lidhje.
Rezultati i Serbisë ka lidhje me situatën në Serbi. Mos harrojmë që Serbia ka njohur realisht një ndryshim demokratik vetëm gjatë kohës së Zoran Gjingjiçit, për shumë pak vite, të cilin e vranë. Pastaj gjithë pjesa tjetër është një Serbi që nuk ka dashur të reformohet dhe nuk i ka pranuar kurrë krimet që ka bërë në luftërat e ish-Jugosllavisë.
Pra, konteksti është komplet tjetër. Nuk mund ta shohim situatën e Serbisë me sytë e politikës së brendshme këtu.
Unë nuk mund të them atë që thonë disa, që Rama është tradhtar, sepse është kryeministri i vendit. Është kryeministri i një vendi të NATO-s, i di detyrimet.
Sigurisht, është një politikan i cili, për mendimin tim, bëri një gabim shumë të rëndë që i besoi Vuçiçit në marrëdhëniet e tij, për atë idenë e Ballkanit të Hapur, bashkë me Zoran Zaevin dhe të tjerë.
Ajo gjë dështoi. Dhe fakti që ka dështuar besoj se e çon sot Ramën të reflektojë e të kuptojë se ku qëndronte dështimi.



